Emergjenca në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe Policia e Kosovës, edhe sonte do të jenë në krye të detyrës për qytetarë të cilët mund të kenë nevojë për ta. Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm me mjetet piroteknike dhe të mos ngasin automjetet nën ndikim të alkoolit.
Qendra Emergjente e QKUK-së është mobilizuar me staf dhe barna shtesë që sonte t’u dalë në ndihmë qytetarëve në nevojë.
Mirëpo kjo qendër ka vetëm 15 shtretër. Nëse sonte ka raste të shtuara të lëndimeve, atëherë stafi detyrohet t’i përdorë shtretërit e klinikave tjera.
“Klinika Emergjente pret një fluks më të madh, kjo për shkak të perdorimit të mjeteve piroteknike të dehjeve, e megjithatë ne i kemi bërë përgatitjet e duhura, kemi më shumë staf e më shumë mjete për qepje. Po ashtu edhe me barna të tjera, por Emergjenca ka edhe një problem me mungesën e shtretërve sespe i kemi vetëm 15 shtretër”, tha për RTK-në Erolind Dërmaku, mjek i ndërrimit në emergjencën e QKUK-së.
Në pritje të qytetarëve që kanë nevojë për shërbime shëndetësore është edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë familjare në Fushë Kosovë.
“Duke e pasur parasyshë fluksin e banorëve që ka kjo komunë, sonte do te jenë ekipet kujdestare në gjendje gatishmërie. Në vitet e kaluara ka pasur raste të lëndimit me mjete prioteknike, lëndime me armë zjarri dhe nga aksidentete”, thotë Arbon Osmani , mjek në QKMF në Fushë Kosovë.
Në gjendje gatishmërie është edhe Policia e Kosovës. Në një komunikatë për medie është bërë e ditur që sonte do të ketë patrullime të shtuara në sheshet ku pritet të ketë më shumë qytetarë si dhe prezencë policore në rrugë për të ofruar siguri në trafik.
Zyrtarët policorë bëjnë thirrje që qytetarët sonte të kenë kujdes të shtuar në përdorimin e mjeteve piroteknike dhe të mos drejtojnë automjeteve nën ndikim të alkoolit.