Për disa nga lojtarët e Real Madridit, fitorja ndaj Borussia Dortmundit të shtunën do të thoshte se ata fituan trofeun e gjashtë të Ligës së Kampionëve, por për Joselu Maton, ishte i pari pas transferimit të tij nga Espanyoli verën e kaluar.
34-vjeçari luajti një rol të madh në fitimin e trofeut të 15-të të Ligës së Kampionëve për Real Madridin, pasi shënoi dy gola ndaj Bayernit në gjysmëfinale.
Si shpërblim, atij iu dha mundësia që të luajë 10 minuta ndaj Dortmundit, pasi zëvendësoi Jude Bellinghamin në minutën e 85-të.
Joselu foli pas ndeshjes për gazetën AS, duke rrëfyer emocionet e tij dhe të disa prej bashkëlojtarëve te Real Madridi.
“Për mua ishte e para, disa prej tyre as nuk e festonin më. Zhveshtorja është shumë e lumtur që sezoni ka përfunduar në këtë mënyrë, nuk ka mënyrë më të mirë. Nuk mund t’iu tregoj se si ndihem, ka shumë gjëra dhe shumë emocione në kokën time”.
“Unë kam qenë në gjendje që t’i ndajë këto momente me fëmijët, gruan dhe nënë time. Djali im i madh po qante shumë. Ndërsa ai i vogli ende nuk di shumë dhe gruaja ime di gjithçka nëpër të cilën kemi kaluar gjatë viteve. Ditën që erdha këtu, unë kisha ëndërruar për atë moment. Është titulli që të gjithë duan ta fitojnë”, është shprehur Joselu.
Mbetet të shihet nëse Joselut do t’i ipet mundësia që ta përjetojë sërish këtë eksperiencë si lojtar i Real Madridit.
Ai pritet që të rikthehet tek Espanyoli këtë verë, ani pse ‘Los Blancos’ e kanë mundësinë që huazimin e tij ta shndërrojnë në një lëvizje të përhershme./Telegrafi/