Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i është drejtuar me një letër të hapur Nehat Idrizit, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Në këtë letër, Hasani, pasi ka përmendur disa raste kur i është kërkuar me urgjencë kryetarit Idrizi që të veprojë, është hedhur në akuza të rënda ndaj kryetarit aktual të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi.
Hasani, Ibrahimin e quan person me sjellje “prej rrugaçi ordiner” dhe sjellje “joetike” e “të papranueshme” në aspektin profesional.
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, këto akuza ia atribuon kreut të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, për shkak se, siç thotë ai, ky i fundit është marrë me çështjen e imunitetit të tij dhe të kryetares aktuale të Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama Hajrizi.
Hasani thotë se Ibrahimi këtë çështje e ka dërguar edhe në Kuvendin e Kosovës, ndërkaq potencon se çështja e imunitetit të gjyqtarëve nuk diskutohet më në Kuvend siç ka ndodhur “në sistemin socialist të kuvendeve” kur, sipas Hasanit, “Kuvendi i Kosovës ka pasë qenë kompetent për gjyqtarët e gjykatave të rregullta, por asnjëherë dhe në asnjë rast për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të ish KSA të Kosovës”.
Ai ka kërkuar që të fillohen “hetimet dhe procedurat disiplinore kundër Hamdi Ibrahimit, kryetarit të GJTH të Prishtinës, për sjellje tërësisht joetike dhe joprofesionale, sjellje prej një rrugaçi ordiner që nuk përkojnë më asnjë standard të punës që ai duhet ta kryej”.
Në vijim ju sjellim të plotë letrën e Enver Hasanit drejtuar Nehat Idrizit, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
***
Për: zt. Nehat Idrizi, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)
Nga: Prof. Dr. Enver Hasani, ish kryetar i Gjykatës Kushtetutese të Republikës së Kosovës (GJKK)
Për dijeni: prof. dr. Fejzullah Hasani, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës dhe medies në Kosovë
Lënda: Kërkesë për fillim të procedurave disiplinore për shkak të rrugaqërive ordinere, sjelljeve joetike dhe të papranueshme në aspektin profesionaltë kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, zt. Hamdi Ibrahimi
I nderuari zt. Nehat Idrizi, kryetar i KGJK:
Në dy mujtë e fundit, avokati im i nderuar, zt. Bajram Tmava, ka bërë tri urgjenca më të cilat ka kërkuar që ju të përdorni autoritetin tuaj ligjor për të nisur procedurat rreth rastit të të a.q. shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe falsifikimit të nënshkrimit të njërit prej tre gjyqtarëve ndërkombëtar të GJK të Kosovës në kohën sa kam qenë kryetar i saj, në fakt kryetari i parë i saj. Kërkesa të njejta, që ju i quani “urgjenca”, avokati Bajram Tmava ka bërë edhe ndaj zt. Hamdi Ibrahimi dhe zt. prof. dr. Fejzullah Hasani. Ndër këto tri “urgjenca’, njëra prej tyre iu pat drejtuar edhe gjyqtarit të lëndës në rastin kundër meje të inicuar nga grupi i prokurorëve lojal që sillen rreth Aleksander Lumezit. E them këtë për t’ju njoftuar se në rastin e dytë të inicuar nën orekstrimin e Aleksander Lumezit, në të njejtën ditë me rastin e parë, pra më 14 prill 2015, i njohur tanimë si rasti i “ish Rektorit të UP-së”, ka pasur ndryshime në trupin gjykues disa herë. Ata që vendosën se çështja e imunitetit funksional e diplomatik të gjyqtarit ndërkombëtar, Robert Carolan duhet të zgjidhet para se të fillojë cfarëdo procedure penale, u dërguan në komision disiplinor. Kjo këtu nuk ka rëndësi sepse nuk më takon mua dhe nuk është arsyeja që ju shkruaj me këtë rast.
Arsyeja që ju shkruaj është krejt tjetër dhe lidhet me sjelljet prej rrugaqi ordiner, tërësisht joetike dhe të papranueshme në apsketin profesional të kryeatrit aktual të GJTH të Prishtinës, zt. Hamdi Ibrahimi. Këtu në vijim po i jap shkaqet krejt konkrete dhe juridikisht të provueshme, duke i lënë vetës të drejtën që shumë shpejt ditëve në vijim të shpjegoj nëpër medie aspektet tjera jojuridike të teknologjisë së kësaj rrugaqërie dhe të atyre që i rrinë prapa zt. Hamdi Ibrahimi.
Siç jeni në dijeni, kjo procedurë ka filluar në majin e vitit 2015, kundër meje dhe znj. Arta Rama-Hajrizi. Kjo e fundit në dhjetor të vitit 2015 u lirua nga akuzat dhe çdo gjë ngeli e njejtë kundër meje, anise “rrethanat” që kishin ekzisituar në maj të viti 2015, të tilla janë edhe sot e kësaj dite. Kjo, megjithatë, këtu nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që ditën e nesërme të majit 2015,zt. Hamdi Ibrahimi në gazetën e përditshme kosovare, “Koha Ditore” tha se, unë e Arta Rama-Hajrizi nuk gëzojmëimunitet për punën që kryejmë. Unë u pata shokuar atëherë, për arsye se nuk e merrja vesh se çfarë i duhej një kryetari të GJTH të Republikës së Kosovës të merrej me shtjellime nëpër medie tëçështjes së imunitetit tëgjyqtarëve të GJK tëRepublikës sëKosovës (sic!). Po aq u pata shokuar kur ditën e nesërme të kësaj deklarate, më datën 22 maj 2015 (kam në dosje personale në rast nevoje), i njejti person del në medie dhe pohon se as unëe as Arta Rama-Hajrizi,nuk kemi imunitet. Kjo sjellje, e cila nuk mund të mos cilësohet si rrugaqëri ordinere, nuk mbaroi me kaq. I njëjti person lëndën kundër meje dhe kryetares aktuale të GJK, znj. Arta Rama-Hajrizi, e dërgoi në Kuvendin e Kosovës për te marrë“sqarim” nëse ne kishim imunitet funskional.
Studentët e Fakultetit Juridik që kanë kaluar vitin e parë si duhet në studime e kanë të qartë se çështja e imunitetit të organeve tjera kushtetuese, përveç deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nuk bie në kompetencën e këtij të fundit. Ata që janë edukuar ekskluzivisht në sitemin juridik-kushtetues ish jugosllav, përfshirë edhe zt.Hamdi Ibrahimi, e dinë që dikur, shumëdikur, në sistemin socialist të kuvendeve, Kuvendi i Kosovës ka pasë qenë kompetent për gjyqtarët e gjykatave të rregullta, por asnjëherëdhe në asnjë rast për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të ish KSA të Kosovës. Ajo kohë ka përfunduar. Jo sot, por edhe në kohën e regjimit diktatorial të instaluar në Kosovë nga diktatori serb Sllobodan Millosheviç, të cilit, siç më kanë thënë, i ka shërbyer zt. Hamdi Ibrahimi deri në ditën e fundit para se të hyjnë trupat e NATO-s për ta çliruar Kosovën. Kjo domethënë që as në atë sistem nuk ka pasur mundësi që për cështjen e imunitetit të vendos Kuvendi i Serbisë, as për cështjen e gjyqtarëve të rregullt e as të atyre të gjykatës kushtetuese serbe. Zt. Hamdi Ibrahimi ka kërkuar në rastin tim që Kuvendi i Kosovës të jap njëpërgjigje të tillë! Kjo përbën një shkelje të rëndë të etikës profesionale sepse, i njëjti person, për shtatë a tetë muaj ka dal rregullisht në medie duke komentuar nëse është(dhe pse nuk është) Kuvendi i Kosovës kompetent për çështjen e imunitetit finksional.
Më lejoni që t’ju them se nuk ka qenë dhe nuk është problem imuniteti im funksional, por imuniteti diplomatik igjyqtarit ndërkombëtar të GJK të Republikës së Kosovës. Kjo, sërish, më duhet t’ju them se këtu fare nuk ka rëndësi. Rëndësi ka, që unë sot, pas tri “urgjencave” që ju kam drejtuar juve, kryetarit të GJTH të Prishtinës, zt. Hamdi Ibrahimi dhe kryetarit të Gj.S.,prof. dr. Fejzullah Hasani, nga Hamdi Ibrahimi marrë përgjigjen përmes gazetës “Koha Ditore” të datës 7 qershor 2016, me të cilën ky i fundit më njofton se këto ditë unë do të marr njëftesë për të dal para gjyqit dhe se nuk paskam imunitet meqë, sipas tij, fjala është për rast normal penal (sic!). Dmth., Hamdi Ibrahimi bëhet edhe prokuror, edhe kryetar gjykate dhe, mbi të gjitha, çka është më e keqja, kryetar efektiv i turpit gjykues kundër meje (të cilin nuk di se kush mund ta kryesoj!).
Cili kod i etikës lejon këso sjellje tërësisht joprofesionale?! Cili kod etike duron një rrugaqëri të tillë ndaj meje nga ky njeri i cili ka një vit që e luan rolin e Prokurorit të Shtetit, jo të një kryetari të GJTH (të cilit nuk i takon të ndërhyjë në anën funksionale të menagjimit të rasteve individuale cilatdo qofshin ato?!)
Në fund, ju falënderojë që keni dhënë përgjigje më datën 30 maj 2016,përmes kanaleve profesionale, përkatësisht avokatit tim zt. Bajram Tmava, rreth “urgjencave” të bëra. Në të njejtën kohë kërkojë që të filloni hetimet dhe procedurat disiplinore kundër Hamdi Ibrahimit, kryetarit të GJTH të Prishtinës, për sjellje tërësisht joetike dhe joprofesionale, sjellje prej një rrugaqi ordiner që nuk përkojnë më asnjë standard të punës që ai duhet ta kryej.
Luteni që çdo përgjigje në këtë kërkesë, si dhe çdo komunikim tjetër, ta kryeni përmes zyrës së avokatit tim të ndëruar, zt. Bajram Tmava.
Duke shpresuar në profesionalizmin tuaj, pranoni i nderuar zt. kryetar i KGJK, Nehat Idrizi, sigurimet e konsideratës sime të sinqertë për punën që bëni.
Prishtinë, më 8 qershor 2016
Prof. Dr. Enver Hasani