Sipas një raporti në Yomiuri Shimbun, një spital në Japoni “aksidentalisht” e përdori ujin e destinuar për tualete si ujë të pijshëm për gati 30 vjet.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, incidenti i çuditshëm doli në dritë muajin e kaluar, duke çuar në një kërkim falje nga studiuesi i Universitetit të Osakës dhe nga nënkryetari i spitalit Kazuhiko Nakatani.
Ndërkohë, sipas gazetës japoneze, spitali ndodhet në Universitetin e Osakës. Godina e klinikës është e bashkangjitur me fakultetin e mjekësisë.
Në mënyrë tronditëse, uji i pusit derdhej në 120 rubineta, të cilat përdoreshin për të pirë ujë dhe për të larë duart.
Defekti ndodhi për shkak të një gabimi në lidhjen e tubave kur spitali u ndërtua në vitin 1993.
Raporti në mediumin japonez tha se askush nuk e vuri re këtë çështje derisa menaxhmenti i spitalit filloi ndërtimin e një impianti të ri trajtimi. Problemi i ujit të pasigurt u zbulua gjatë një inspektimi në godinën e re. /Telegrafi/