Site icon Telegrafi

Për fillimin e bizneseve të tyre, 43 burra dhe gra kanë përfituar grante nga 3000 deri në 6000 euro

Siç bëhet e ditur në një njoftim të UNDP, 43 burra dhe gra të papunë kanë përfituar grante nga 3000 deri në 6000 euro për të filluar bizneset e tyre në gjashtë sektorë biznesi, duke përfshirë TI-në, industrinë e përpunimit të drurit, turizmin, industrinë e përpunimit të metaleve, prodhimin e ushqimit dhe paketimin si dhe tekstilin.

Këto grante, siç bëhet e ditur në njoftim janë pjesë e projektit të zbatuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës.

“Programi i Vetë-Punësimit (PVP) ka filluar gjatë muajit prill të këtij viti, për të zgjeruar programet aktive të tregut të punës, të implementuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me mbështetjen e UNDP-së. Objektivi kryesor i Programit është që të sigurojë mundësi për të papunët e regjistruar të fillojnë një aktivitet biznesi. Në këtë rast, vetëpunësimi është aplikuar si një masë aktive e tregut të punës e cila u mundëson përfituesve të fillojnë një aktivitet biznesi apo të vetë-punësohen”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, ai përfshin trajnim/këshillim, mbështetje financiare dhe shërbime konsulence për të papunët në mënyrë që ata ta zhvillojnë me sukses biznesin e tyre. Ky është qëllimi gjithëpërfshirës i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës dhe UNDP-së, për të shfrytëzuar politikat aktive të tregut të punës që stimulojnë zhvillimin e sektorit privat dhe krijimin e vendeve të punës.

“277 punëkërkues kanë aplikuar me idetë e tyre të biznesit në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën. Idetë më të mira janë përzgjedhur për të marrë një trajnim se si të zhvillojnë planet e tyre të biznesit. Pas një procesi mjaft konkurues, në këtë ceremoni, 43 plane të biznesit të paraqitura do të shpërblehen me asistencë financiare prej 3.000 – 6.000 euro dhe mentorim të vazhdueshëm në mënyrë që të funksionalizohen bizneset e tyre dhe të bëjnë produktet dhe shërbimet e tyre të gatshme për tregun”, përfundohet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version