Site icon Telegrafi

Për Faik Konicën e njohur dhe të panjohur

Nasho Jorgaqi

Jeta dhe trashëgimia e Faik Konicës kanë qenë dhe mbeten gjithnjë fusha të hapura për studiuesit tanë për vlerat dhe rolin e rëndësishëm që kanë luajtur dhe luajnë në kulturën, letërsinë dhe mendimin shqiptar. Personalisht i kthehem herë pas here zbulimit dhe studimit të figurës së tij poliedrike. Me këtë rast dua t’ju kujtoj lexuesve tanë disa konsiderata e të dhëna për të, nga personalitete shqiptarë dhe të huaj. Janë këto vlerësime që koha jo vetëm që nuk i ka zhvlerësuar, por përkundrazi i ka vërtetuar dhe lartësuar më tej. Një poet i madh si G.Apollineri do të shprehej: “Çfarë shpirti fin dhe të kulturuar kishte Faik Konica!”. Kurse Fan Noli e çmon lart nga pikëpamja patriotike kur e quan nga “kampionët më të mëdhenj të independencës kombëtare dhe kryekalorësin e gjuhës shqipe”.

Gjergj Fishta do ta cilësonte “Gjykatësi më elegant i letërsisë shqipe”. Vangjel Nirvana tregohet më realist kur shkruan: “Figurë vigane që natyra e kish pajisur me virtytet më të mëdha, por edhe me të metat më të mëdha”.

Nga kjo pikëpamje le të kujtojmë subjektivizmin e paskrupullt dhe qëndrimin e tij absurd, mendimet e mbrapshta që ka shprehur me rastin e vdekjes së patriotit të madh, Luigj Gurakuqi apo zhvlerësimin që i bëri poezisë së Naim Frashërit pa përmendur një varg mëkatesh të tjera që nuk e nderojnë aspak figurën e tij madhore.

Por, le të vazhdojmë më tej me vlerësimet për të, si ato të Arshi Pipës që i qaset ndryshe kur thotë: “Të tjerët dhanë punën ai dha tonin”. Apo fjalët e Qerim Panaritit për Konicën që e quan “Një kryqtar të vetmuar”.

Ndërsa Luan Rama pohon nga Parisi një të vërtetë kur shkruan: “Faik Konica qëndron në rrjedhat e integrimit dhe qytetërimit evropian”.

Gjuhëtari Namik Resuli e vlerëson “model i gjallë i shqipes, jo vetëm nga pikëpamja estetike por edhe e përpunimit të saj”.

Kurse Luan Starova komenton se “Faik Konica sado që ka qenë i kapluar prej imperativave të Rilindjes Shqiptare i përçmonte edhe nxitjet e estetizmit evropian”.

Për Janet Byronin “Faik Konica është i rëndësishëm sot si shembull i jashtëzakonshëm i një njeriu që mundi të bashkonte aftësitë letrare me aftësitë e gjuhësisë…”

Autori i këtyre radhëve u takon atyre punëtorëve të përkushtuar të kulturës shqiptare të traditës që përpiqet të gjurmojë e të hetojë jetën e Faik Konicës me dritëhijet e saj, por të hulumtojë e të mbledh trashëgiminë e tij të shpërndarë në kohë dhe në hapësirë. Sigurisht një punë tepër e vështirë sado e nderuar dhe e pritshme nga opinioni. Dy janë shtyllat e personalitetit të Faik Konicës që shfaqen para studiuesit: intelektuali dhe njeriu. Për të parin shumë shqiptarë kanë hedhur dritë të qartë dhe kanë evidentuar dritëhijet kurse për të dytën ndeshen në mjegullima me të dhëna dhe gjykime kontradiktore, me kontraste flagrante me njeriun e jashtëzakonshëm dhe të rëndomtë, me objektivitet të lartë por edhe me subjektivizëm të nivelit të ulët, ai është njeriu më kompleks i botës intelektuale shqiptare.

Kështu, për studiuesin është relativisht më lehtë të vihet në rolin e gjykuesit të raporteve të Konicës me historinë, por shumë e vështirë për ta vështruar dhe gjykuar qenien e tij si njeri. Zbulimi dhe qëndrimi ndaj njeriut Konica paraqitet mjaft problematik. Është fjala për natyrën dhe karakterin, për botën shpirtërore dhe temperamentin për raportet njerëzore dhe për formimin psiko-intelektual, për njeriun si individ dhe atë social. Studimi dhe gjykimi i tyre lypin patjetër psikologun, psiko-analistin që akoma qëndrojnë disa larg ose thuajse duhen të shkelin në këtë fushë djerrë.

Janë këto disa mendime modeste për të ngacmuar dhe nxitur studimet koniciane në rrafshe të ndryshme. Sa për shkrimet e Konicës që shoqërojnë këtë shënim (Nga mozaiku konician) janë një takim kalimtar i lexuesit me autorin me mendime e tij të mençura dhe me fjalën e tij magjike që tingëllojnë aq bukur e bashkëkohore edhe sot e kësaj dite.

Por, me këtë rast kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju bëjë të ditur opinionit të gjerë për zbulimin historik të dy romaneve krejt të panjohur të Faik Konicës me vlerë të çmuar për historinë e romanit shqiptar dhe letërsinë shqipe. Është fjala për dy romane të tij me subjekt shqiptar, të shkruara në frëngjisht e të botuara në Paris në vitin 1911, të titulluar “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe mitka”, me autor Jean Kroia (Gjoni i Krujës, e shqipëruar).

Romanet u zbuluan pas afro 100 vjetësh nga studiuesi i njohur frankofon Fotaq Andrea, falë punës së tij kërkimore shumëvjeçare nëpër arkiva dhe burime të tjera dhe mbi të gjitha pasionit e përkushtimit atdhetar si dhe përgatitjes serioze shkencore. Ai jo vetëm i nxori në dritë por edhe i shqipëroi me gjakun e autorit dhe me një nivel të lavdërueshëm.

Sikur të mos mjaftonte kjo i botoi me shpenzimet e tij një sakrificë kjo e detyruar kur Ministria jonë e kulturës nuk merrte përsipër botimin e tyre. Romanet u shoqëruan me një studim shkencor serioz e i dokumentuar për vlerat e romaneve dhe zbulimin e identitetit të Faik Konicës si autori i tyre. Me zbulimin e këtyre dy romaneve që lexuesi ynë tanimë i ka në dorë Fotaq Andrea i solli njës shërbim me vlera kulturës dhe letërsisë sonë të traditës.

E me këtë rast e falënderojmë dhe i shprehim mirënjohjen e thellë duke i uruar suksese të tjera në punën e tij hulumtuese kushtuar trashëgimisë së Faik Konicës.

***

Mozaik konician

Mendime të vogla (Disa këshilla një djali në Misir që dëshiron të botojë një gazetë shqipe)

I dashur mik,

Në bëfsh gazetën me shkronja të mëdha, shqiptarët do të thonë se s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fletë të vogla, do të thonë se s’është gazetë, po libër; në e shtypsh me letra [germa-N.J] të holla do të thonë se s’këndohen dhe prishen sytë; në e shtypsh me letra të trasha, do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vende.

Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegërisht, prapë ashtu; në shkrofsh një gjuhë të përzierë me të dyja, do të thonë se s’di shqip; në shkrofsh gjysëm gegërisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”.

Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojnë për leteraturë kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë, do të thonë se prish punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Sulltanit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të japë Sulltani të holla që të pushosh gazetën. Në mos gjetsh të holla që të mbash gazetën, do të thotë se s’je i zoti, me qenë që aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar. Në folsh për çlirimin e Shqipërisë, do të thonë je djalë e kërkon gjëra që duheshin gatitur një qind vjet më parë; në folsh për nevojën të përpiqemi të shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë tonë, duke e vënë vendin nën hije të një fuqie të madhe, s’qënka shqiptar i vërtetë. Në folsh mirë për shqiptarët e vërtetë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë e ligsht për të ligët, atëherë do të hidhëroheshin të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi.

Faik Konica, 1901

***

Faik Konica për veten:

Jam njeri me natyrë emocionale. Mendimi, ndjenja e çastit bëhen fare të zotët e vetes sime…

1906   .

***

Letër shkrimtarit M.S. Gurra

Më 26 mars 1919

I dashur Milto,

Dy fjalë me vrap të pendës. Letrat tënde i mora, të parën me një vonim mjaft të madh. Më falë që s’u përgjigja gjer më tani: më duket sikur më është mpirë edhe dora, edhe vullneti. Por kujtimi im për mikun e larkmë s’përton: është përditë me ty atje në mes të pyllit…

S’di a ke haber nga ndryshimet e mëdha që janë bërë që kur ike? Bolshevizmi i proklamuar zyrtarisht në Hungari, këtu paratë e huaja dhe ari të zëna nga qeveria, marrëdhëniet diplomatike të prera …etj. Me frikë të madhe i prisha paratë e tua.

Me gjithë këto, s’hoqa dorë nga muzika dhe kam shkuar në 14 koncerte që kur ike nga Vjena. Dëgjova ca soneta për piano të Scarlattit, të lozura nga Moriz Rosenthalit; katër simfoni të Mahlerit, të 5-n nën Bruno Walteri-n, të 4-n nën Konorath-in, të 3-n nën Waingarter-in, të 1-n nën Nedbal-in (e para dhe e katërta më pëlqyen më tepër; fundi i së katërtës që përshkruanin muzikën që dëgjohet në parajsë është me të vërtetë i perëndishëm); oratorion e Haydn-it “Krimi” (më pëlqeu aq shumë mënyra me të cilën u këndua sa u kthyesh pas ca ditë dhe e dëgjova për së dyti; stapin e kish në dorë prof. Hans Vagner); Sonatën e Kreutzerit (violinist i binte Aubermani, pianos Backhaus-i) të I-n e Bethovenit nën Ëeingartner-in edhe Erotikën nën Sporin; variacionet simfonike për piano dhe orqestrë të Çezar Franku-t dhe më në funt, po mi krye e sipër një kantatë të qiellëshme të Bach-ut e këndoi baritoni i ngrohtë Pal Bender në stepin e magjepsur të Nedbal- it.

Ecco la fine del Cataloge

Yti me zemër

Faik Konica

***

Mendime të F. Konicës

Idealizmi mund të dalë vetëm nga dy burime: nga një kulturë e lartë e nga një vuajtje e përbuzshme.

…Le të mos flasim kundër trimërisë, ajo ka fituar liritë që gëzon sot bota dhe ajo prapë është e zonja të shpëtoj popujt e mposhtur nën zgjedhë.

Shija e gjuhës shtohet me përdorjen e fjalëve të popullit. Këto fjalë fjeshtë shqipe i japin një kripë të veçantë gjuhës dhe do të jetë vërtetë ligsht po të humbasin.

Në kombin tonë, duket se tërë hollësia e mendjes dhe e zemrës, tërë bukuria e karakterit dhe e sjelljes i kanë rënë për miras gruas.

1915

***

Luigi Gurakuqi

U hidhërova shumë duke marrë vesh vdekjen tragjike të Luigj Gurakuqit. Njeri papatriotizëm dhe pa ndërgjegje, armik i bashkimit kombëtar dhe kuptimit modem të shtetit, intrigan, prapanik dhe i errët Luigj Gurakuqi qe tipi më i mbaruar i politikanit ballkanik të shtrembër dhe nuk meritonte aspak nderin dhe famën e një dëshmonjësi. Ai, kushdoqoftë, i cili vuri dhe e vranë Luigj Gurakuqi është pa fjalë një budalla: se duke e kallur në varr n’atë mënyrë dhe në atë rast, varrin e një njeriu të dënushmë dhe pa ndonjë vlerë e ngre në shkallën e monumentit të një martiri.

1925

***

Flet Faik Konica

Në një silan të Vienës, duke pirë nga një kupë të tretë “Gumbold Skirchnor” po bisedonim me F.K. mbi Partitë Politike të Inglisë, në prill të motit 1915.

Nga Inglia ishim hedhur në Shqipëri, kur servitori na solli kupën e katërt dhe atëherë unë e pyeta Faikun, a duhet ta kopjojmë në Shqipëri sistemin e qeverimit me anë dy Partish, një konservatore dhe tjetra liberale të cilat hipin në fuqi njëra pas tjetrës sipas votës së popullit. “Jo – tha Faiku – s’është punë që bëhet. S’mund të kemi një parti konservatore në Shqipëri, se konservator do me thënë ay që konservon një trashëgimi të vyer politike. P.sh inglizi është konservator se dëshiron të konservojë Perandorinë inglize, pasurinë inglize dhe institutet inglize që krijuan këtë perandori. Po ne shqiptarët ç’kemi trashëguar dhe ç’të konservojmë? Feudalizmin e bejlerëve, Patriarkalizmin e Malësorëve apo Banditizmin e Fshatarëve?”

Këtu erdhi servitori dhe solli kupën e pestë, Faiku e zbrazi dhe vazhdoi: “Nga ana tjetër s’mund të kemi as parti liberale, se liberalizmi ingliz i bëri reformat me ngadalë, e zë lepurin me araba, me urt’ e butë e plot tiganin dhe gjersa t’i bëjmë ne reformat si inglizët na piu morri e na hëngri greku e serbi dhe italiani.”

Servitori, i cili na përgjonte, na solli menjëherë kupën e gjashtë:

“Jo, or jo, – konkludoi Faiku – nuk duhet të kemi as Parti Konservatore, as Liberale pas mënyrës inglize, se as njëra as tjetra nuk na hyjnë në punë në Shqipëri. Neve nuk na duhen dy partira, por vetëm një, njëzë dhe njëckë Parti revolucionare. Shqipëria është si një shtëpi e vjetër që duhet rrëxuar dhe duhet rindërtuar që nga themelet.”

Kur ua tregoj miqve këtë bashkëfjalim, të gjithë më shikojnë me dyshim, duke kujtuar që tallem me ta, se të gjithë e dinë Faikun si konservator edhe pak a shumë reaksionar. Po kjo nuk është e vërtetë. Faiku në djalëri kishte kaluar nëpër të gjithë ideologjitë revolucionare dhe jo përcipë e shkel e shko, po kishte hyrë thellë dhe e kishte studiuar me zjarr e pasion Karl Marxin, e dinte në majë të gishtërinjve dhe gjithnjë fliste për atë me respekt si për ndonjë dhaskal të vjetër të djalërisë nga i cili kishte mësuar dhe gjëra mohuese nuk i besonte që të gjitha. Jo, Faiku nuk ka qenë kurrë konservator a reaksionar. Po ta kruanje pak menjëherë çfaqej revolucionari i vjetër.

1945, Fan Noli

 

Exit mobile version