Siguria kibernetike dhe privatësia vazhdojnë të jenë sfidë serioze për Kosovën, prandaj vendi ynë është i ekspozuar ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve të krimit kibernetikë. Kështu u tha në konferencën e katërt ndërkombëtare “Siguria Kibernetike dhe Privatësia” (Cyber Security and Privacy), organizuar nga Komuniteti për Siguri Kibernetike dhe Privatësi dhe Kolegji UBT, mbështetur nga Ministria për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Në hyrje të konferencës, me anë të një videoprezantimi nga SHBA, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha se duhet të krijohet ambient i sigurt për mbrojtjen e të dhënave.
“Secili qytetar secili institucion bashkërisht të merremi me aktivitete të cilët duhet të krijojmë një ambient sa më të sigurt për të dhënat të cilat kanë përhapjen e të dhënave, por njëkohësisht për fëmijët të cilët janë të ekspozuar në mënyrë masive gjatë kësaj periudhe në rrjete sociale të cilët mund të denigrojnë funksionimin e tyre”, tha Beqaj.
Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, tha se organizimi i kësaj konferencë është një nevojë dhe çështje shumë serioze.
“Është ngjarja më e madhe dhe Kosova e meriton një konferencë të tillë. Duke marr parasysh pjesëmarrjen e madhe të Kosovës në fushën e IT, kjo është një nevojë. Kjo është çështje serioze. Me rritjen e dixhitalizimit ne mund të kemi probleme në aspektin financiar dhe gjëra të tjera. Nëse humbin të dhënat, prej tyre 40 për qind nuk mund të rikthehen. Pra nuk është një dëshirë, por është një masë e nevojshme që të merret seriozisht. Në të gjitha fushat ka nevojë në Ballkanin Perëndimor, po ashtu edhe Kosova. Element që duhet bërw është partneriteti që të parandalohen krimet kibernetike në mënyrë që të reagojmë”, tha Hajrizi.
Presidenti i Cyber Security and Privacy, Mentor Hoxhaj, para të pranishmëve tha se Kosovës ende i mungojnë standardet e sigurisë dhe privatësisë kibernetike.
“Siguria kibernetike është vet privatësia. Zhvillimi i teknologjisë informative është hapësia që jep siguria kibernetike, sfidat me të cilat kemi në këtë dhe vendosja e standardeve të domosdoshme në Republikën e Kosovës, për sa i përket qeverisjes kibernetike duke filluar nga raportimet deri te ofrimi i sigurisë. Në këtë konferencë do të kemi mundësinë të diskutojmë lidhur me mundësitë për zgjidhje. Për fat të keq në Republikën e Kosovës ende nuk i kemi këto standarde dhe shpresojë që t’i gjejmë të zbatueshme”, tha Hoxhaj.
Ndërsa, kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, tha se duhet të ekzistoj bashkëpunimi që të paktën mbrojtja kibernetike të jetë e pranueshme dhe se fokusi në teknologji informative është fokus në të ardhmen.
“Është një ngjarje bashkohet pa asnjë hezitimi komuniteti nga Kosova dhe rajoni. Siguria kibernetike është duke u bërë edhe më e rëndësishme. Dëmet ne 2015 kanë shkaktuar dëme deri në 3 trilionë dollarë, në viti 2020 do të rritet. Krimi kibernetikë po prek çdo pjesë të jetës. Në këtë fazë askush nuk është imun nga krimi kibernetikë. Duhet të ekzistoj bashkëpunimi që të paktën mbrojtja duhet të jetë e pranueshme. Aktualisht në top 10 kompanitë më të mëdha, katër janë nga teknologjia informative. Të rinjtë e Kosovës po e shohin mundësinë të hyjnë në tregun botëror. Fokusi në teknologji informative është fokus në të ardhmen. Kjo konferencë do të ndikoj pozitivisht në edukimin qytetar dhe rritjen e vetëdijes”, tha Gashi.
Në kuadër të konferencës së katërt ndërkombëtare “Siguria Kibernetike dhe Privatësia”, është e pranishme edhe Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë e Rrjetit dhe Informacionit (ENISA), e cila punon ngushtë me shtetet anëtare dhe sektorin privat për të ofruar këshilla dhe zgjidhje sa i përket teknologjisë kibernetike, zhvillimin e strategjive kombëtare të sigurisë kibernetike, bashkëpunimin e CSIRT-ve, ngritjen e kapaciteteve dhe shumë aspekte të tjera.
Po ashtu, Benjamin Kunz Mejri është risia e radhës e këtij edicioni, ku ai renditet në top 5 hakerët më të mirë në botë.
Po ashtu, në konferencë do të marrin pjesë një numër i madh i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që e kanë mbështetur nismën e Komunitetit për Siguri Kibernetike dhe Privatësi si, Ministria e Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë, PTK, ARKEP, Ambasada amerikane në Prishtinë, përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, Bullgaria, Kroacia, ekspertë dhe kompani të njohura ndërkombëtare të fushës së sigurisë kibernetike dhe privatësisë si, Facebook, Google, HackerOne dhe shumë institucione, kompani të tjera të fushës në fjalë.
Konferenca do të vazhdojë punimet edhe nesër, ku do të mbahen panelet e e diskutimit nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. /Telegrafi/