Policia e Rajonit të Prishtinës respektivisht, njësiti rajonal i trafikut rrugor duke u mbështetur në vlerësimet e fundit që i ka bërë situatës së sigurisë në trafik, që nga data 26 prill 2021, ka filluar me implementimin e një plani operativ për kontrollin e shtuar në trafik me fokus të veçantë ndaj ngasësve të motoçikletave.
Sipas njoftimit të Policisë, vetëm gjatë muajit prill për kundërvajtje të ndryshme në trafikun rrugor, në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë Prishtinë, janë shqiptuar 11 mijë e 184 gjoba.
Ndërsa sa i përket planit që ka filluar që nga data 26 prill, deri sot janë konfiskuar 77 skuterë, ndërkaq janë shqiptuar edhe disa masa të tjera administrative.
“Masë administrative ndaj 44 (katërdhjetë e katër) ngasësve të motoçikletave pa patentë shofer, masë administrative ndaj 32 (tridhjetë e dy ) ngasësi të motoçikletës pa helmetë mbrojtëse, masë administrative ndaj 52 ( pesëdhjetë e dy ) ngasësve të motoçikletave pa regjistrim”, thuhet në njoftim.
Ky operacion do të këtë shtrirje në të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës dhe do të vazhdoj deri sa të vlerësohet që është arritur efekti i dëshiruar, njofton Policia. /Telegrafi/