Kryeministri Isa Mustafa se ka thënë asnjë fjalë për aksionin më të madh të EULEX-it për arrestimin e dhjetëra personave që janë marrë me tregtinë e paligjshme të tokave. Për dallim prej Shefit të Qeverisë, aksionit i kanë dhënë përkrahje Presidenti Hashim Thaçi e Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Heshtja ka pasur edhe në kampin opozitar. S’kanë folur as Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e Albin Kurti.
Azem Syla, dikur udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktualisht, është nën hetime se ka qenë prijës i një grupi kriminal që është marrë me shitblerjen e paligjshme të tokave në periferi të Prishtinës.
Ai tashmë ndodhet në duart e policisë bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të grupit.
Ndaj këtij arrestimi kanë reaguar vetëm disa prej udhëheqësve të Shtetit. Por, s’ka pasur asnjë deklarim nga Kryeministri Isa Mustafa,shkruan Express.
Ndaj aksionit të EULEX’it kundër zyrtarit të PDK-së s’kanë folur as zyrtarët tjerë të Qeverisë.
Sidoqoftë, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se organeve të drejtësisë duhet dhënë përkrahje për të kryer punën e tyre e në të njëjtën kohë s’duhet pritur vendimin përfundimtar për rastin.
“Prokuroria dhe gjyqësia ta kryejnë punën në mënyrë të pavarur, dhe në të njëjtën kohë të presim epilogun e vendimeve të tyre. Sido që të jetë të gjithë do të jemi të barabartë para ligjit”, kishte thënë Veseli.
Ngjashëm ishte deklaruar edhe Presidenti Hashim Thaçi.
“E përshëndes dhe mbështes fuqishëm aksionin e organeve kombëtare dhe ndërkombëtare të rendit dhe ligjit”, kishte thënë Presidenti.
Azem Syla prej pasluftës kishte qenë pjesë e udhëheqjes së PDK-së. Kishte qenë për një kohë edhe Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e përkohshme të pasluftës. Deri më tash ka mbajtur pozitën anëtarit të Kryesisë së PDK-së dhe të deputetit.
Ai po dyshohet se ishte udhëheqës i një grupi kriminal që merrej me shpronësimin e tokave dhe shitjen e paligjshme të tyre në periferi të Prishtinës. Është përmendur se dëmi i shkaktuar prej këtij grupi është rreth 30 milionë euro.
Azem Syla, po ashtu, ishte për një kohë numri një i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prokuroria kishte dështuar të arrestonte Sylën në aksionin e ditës së mërkurë pasi ai ndodhej në Shqipëri.Organi i akuzës kishte lëshuar një njoftim në të cilin thuhej se deputeti i PDK’së ishte prej dhjetë ditës në kërkim të drejtësisë.
Por, Syla, në fillim të javës kishte qenë bashkë me Kryeministrin Mustafa e Kryeparlamentarin Veseli në një tubim publik. Veç kësaj, pjesë e tubimit kanë qenë edhe policë, të cilët sigurojnë udhëheqësit shtetërorë.
Ndaj arrestimit të Sylës s’ka pasur as reagime nga liderët e partive opozitare. S’kanë folur as bashkëluftëtarët e tij, Fatmir Limaj e Ramush Haradinaj.