Nga: Elif Shafak (fragment nga “Rrëfimi i historive duhet të ngadhënjejë në një botë ku demokracia kërcënohet” – shkrim i botuar në revistën “The New Statesman”, më 17 gusht 2022, në shenjë solidariteti me Salman Rruzhdien pas sulmit me thikë ndaj tij në Nju-Jork, sulm prej të cilit humbi njërin sy dhe iu paralizua njëra dorë)
Përktheu: Granit Zela
Nuk është e lehtë të jesh rrëfimtar në një botë që zgjedh gjithnjë e më shumë thashethemet në internet në vend të njohurive, amnezinë në vend të kujtesës, apatinë në vend të ndjeshmërisë, uniformitetin në vend të shumëllojshmërisë, dogmën në vend të dyshimit, tiraninë në vend të demokracisë dhe, në fund të fundit, heshtjen në vend të të rrëfyerit.
Kushdo që ia ka kushtuar jetën librave dhe letërsisë, e di se liria e të shprehurit, oksigjeni që na nevojitet dëshpërimisht për të shkruar, për të ëndërruar dhe për t’u lidhur me të tjerë matanë kufijve, po pakësohet. Shkrimtarët, si peshqit në lumenj shumë të ndotur, po notojnë duke kërkuar furishëm ato qeskat e fundit të oksigjenit të mbetur, ose po shkurajohen dhe po tërhiqen duke rënë në pesimizëm dhe të lodhur.
Ata prej nesh që janë nga pjesë të globit që na janë formësuar nga valët e autoritarizmit populist, ultra-nacionalizmit, ekstremizmit dhe shovinizmit, ata prej nesh që vijnë nga demokracitë e plagosura rëndë, kanë mësuar tashmë në mënyrën më të vështirë se fjalët mund të jenë të rënda dhe letërsia, në thelbin e vet, është rezistencë.
Duke nisur nga politika për të mbërritur deri te seksualiteti dhe historia, për asnjë temë nuk është e lehtë të shkruhet më.