Site icon Telegrafi

Për ardhjen e 4,680 vaksinave Pfizer, Zemaj: Miqësia me Austrinë është e veçantë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se ardhja e 4,680 vaksinave të Pfizer, është lajm i mirë.

Zemaj nëpërmjet një postimi në Facebook, tha se Austria përveç këshillimeve që i kemi pasur na shtriu dorën me vaksina, ashtu si gjatë historisë.

Ai tutje shtoi se çdo vaksinë është e mirëseardhur.

“Gjatë vizitës zyrtare në Vjenë, në takim me ministrin federal të Shëndetësisë, z. Rudolf Anschober, pata theksuar se miqësia e popullit austriak për popullin tonë është vlerë e veçantë.

Faleminderit Ambasador, z. Christoph Weidinger dhe ish minister, z. Rudolf Anschober. Faleminderit znj. Ursula von der Leyen dhe komisionerit z. Olivér Várhelyi. Miku njihet në ditë të vështira”, tha ai.

Ndyshe, sot në Kosovë kanë arritur 4,680 dozat e para të vaksinës anti-COVID të llojit Pfizer, pjesë e kontingjentit të 95 mijë vaksinave Pfizer që Bashkimi Evropian dhe Austria do t’i sjellë në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e Austrisë në Kosovë përmes një njoftimi për media.

“Ambasada Austriake në Prishtinë është shumë e gëzuar, që sot ka arritur në Prishtinë sasia e parë e 95,000 dozave të vaksinës BionTech/Pfizer, të cilat janë financuar nga Bashkimi Evropian, dhe janë siguruar nga Austria. Me 4,680 dozat që kanë arrit sot ka filluar furnizimi i Kosovës me vaksinat, të cilat do shpërndahen deri në fund të gushtit. Kjo do kontribuoj në përgatitjen e planit të vaksinimit, duke vaksinuar fillimisht personelin shëndetësor në front të parë si dhe grupet e rrezikuara”, njofton ambasada e Austrisë.

Furnizimi i Kosovës me 95,000 vaksina BioNTech/Pfizer është pjesë e një përpjekjeje të përbashkët të BE dhe Austrisë për të siguruar 651,000 doza BioNTech/Pfizer për Ballkanin Perëndimor, për të mbështetur rajonin në vaksinimin e personelit shëndetësor në front të parë si dhe persona nga grupe më të rrezikuara. /Telegrafi/

Exit mobile version