Gjatë tetë muajve të parë të këtij viti qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të botës, dërguan në Kosovë hiç më pak se 500 milionë euro. Në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak shihet se ka rritje të dërgesave
Hiç më pak se 500 milionë euro kanë ardhur në Kosovë në formë të dërgesave nga qytetarët e saj, të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të botës. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të BQK-së shihet se në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar sivjet ka rritje të dukshme të dërgesave nga diaspora.
Sipas të dhënave zyrtare shihet se më së shumti dërgesa nga diaspora për në Kosovë kanë ardhur gjatë muajit gusht dhe vlera totale e mjeteve të ardhura nëpërmjet bankave, agjencive për transfere parash dhe rrugëve të tjera është 98,6 milionë euro, derisa më së paku mjete sivjet kanë ardhur gjatë muajit shkurt dhe shuma totale e mjeteve të ardhura nga diaspora ka qenë 48 milionë euro, shkruan gazeta Zëri.
“Gjatë muajit janar kanë ardhur 56,7 milionë euro, gjatë muajit shkurt 48 milionë euro, gjatë muajit mars 51,9 milionë euro, gjatë muajit prill 57,2 milionë euro, gjatë muajit maj 56,7 milionë euro, gjatë muajit qershor kanë ardhur në Kosovë nga diaspora 59,2 milionë euro, gjatë muajit korrik 70,2 milionë euro, si dhe gjatë muajit gusht kanë ardhur në Kosovë 98,6 milionë euro”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës. /Zëri/Telegrafi/