Telegrafi

Për 8.000 bileta në finalen e Tiranës, ka 180 mijë kërkesa nga tifozët italianë dhe holandezë

(Foto: TopChannel/Uefa)

Nga sot (e martë) të gjithë sportdashësit shqiptarë kanë mundësi të shpresojnë për të qenë të pranishëm në finalen e madhe që do të zhvillohet më 25 maj në Tiranë, finalja e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Feyenoordit.

Një nga të përgjegjësit e UEFA-s për këtë finale në Tiranë, Keidi Tomorri – cituar nga Top Channel – ka folur se si ky proces, nga shitjeje u konvertua në lotari për shkak të një numri përtej normales të kërkesës për të qenë prezent në këtë ndeshje.

“Prioritet kanë shqiptarët, kërkesa është rreth 160 deri në 180 mijë kërkesa biletash, 400 ka Feyenoordi dhe 400 Roma dhe vetëm 8.000 janë në shitje”, është shprehur ai.

Në javën e asaj finaleje në Tiranë pritet një numër rreth 35.000 tifozësh në rrugët e kryeqytetit dhe në dy zonat e tifozëve që do të krijohen në kryeqytet, megjithatë shifrat tashmë kanë ndryshuar, shumë madje.

(Foto: Uefa)

“Me updatet (përditësimet) e fundit që kemi marrë nga Holanda pritet të jenë nga 15.000 ne 18.000, ku vetëm 4.000 janë me bileta, ndërsa nga Roma kërkesa është shumë më e madhe, deri tani kemi një pritshmëri për 60.000 veta por pritet të rritet se është krijuar ideja qe janë ata favoritet për të fituar”, ka theksuar Tomorri.

Çmimet e biletave kanë qenë relativisht të pranueshme për këtë ndeshje nga 25 euro në 125 maksimalja. Por problemi më shumë se çmimi ka qenë kapaciteti, për klubet, ndërkohë që UEFA ka pasur tjetër politikë.

“Kam qenë në kontakt me klubet edhe për çështjen e biletave dhe Roma ka kërkuar një numër shtesë që nuk u aprovua, pasi UEFA ka prioritet që të ketë sa më shumë tifozë vendas, Shqipëria nuk mund të organizojë vit për vit finale të tilla”, ka shtuar ai.