Site icon Telegrafi

Për 6 muaj, 109 policë nën hetime

Që nga fillimi i këtij viti një numër i madh i zyrtarëve policorë kanë qenë nën llupën e Hetuesisë së Inspektoratit Policor. Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë 109 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, apo marrë në përqindje 1,2 për qind e Policisë janë hetuar për kryerjen e veprave penale.

Ndërsa, nga ky numër i të hetuarve si rezultat i gjetjeve nga ana e hetuesve të Inspektoratit Policor, ky institucion ka rekomanduar suspendimin e 24 prej tyre. Ndonëse Policia e Kosovës është një ndër institucionet më të besueshme në nivel vendi, një numër i madh i ankesave për pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë shkuar në drejtim të Inspektoratit Policor.

Gjatë kësaj periudhe kohore IPK-ja ka pranuar plot 628 ankesa, ku në 390 ka pasur mungesë të elementeve të veprave penale dhe ato janë dërguar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale të Policisë si shkelje disiplinore, shkruan gazeta ‘Zëri‘.

Sipas zëdhënësit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka, gjatë gjashtë muajve të fundit Inspektorati Policor si rezultat i ankesave ka hetuar 88 raste me elemente të veprës penale.

Exit mobile version