Ish-mbreti i Belgjikës, Albert II, është takuar me vajzën e tij që vazhdimisht e kishte mohuar, Princeshën Delphine, për herë të parë që kur ajo u njoh si pjesëtare e mbretërisë.
Në fakt, pas shumë viteve të betejave ligjore e detyruan ish-monarkun të pranonte se ishte babai i saj, e cila kishte ardhur në jetë para pesë dekadave, raporton CNN.
Avokatët e Albertit pranuan në janar se artistja 52-vjeçare, e njohur në atë kohë si Delphine Boel, ishte vajza e tij, përkatësisht pas shtatë vjet beteje ligjore për atësinë e saj, transmeton Telegrafi.
Delphine më pas u bë anëtare e familjes mbretërore dhe çifti u takua personalisht për herë të parë në kalanë Belvedere në Bruksel, njoftoi familja mbretërore.
“Të Dielën, 25 Tetor, filloi një kapitull i ri, i mbushur me emocione, qetësi, mirëkuptim dhe gjithashtu shpresë”, shkruan në një deklaratë të përbashkët që u nënshkrua gjithashtu nga gruaja e Albertit, Mbretëresha Paola.
“Takimi ynë u zhvillua në Kështjellën Belvedere, një takim gjatë të cilit secili prej nesh ishte në gjendje të shprehte ndjenjat dhe përvojat tona të qeta dhe me ndjeshmëri,” lexohej në deklaratë.
Albert fillimisht kishte kundërshtuar pretendimin e Delphines se ishte ngjizur gjatë një lidhje midis tij dhe nënës së saj, Sybille de Selys Longchamps, në vitin 1968, por ndryshoi pozicionin pas rezultateve të një testi atësie të urdhëruar nga gjykata.
Ai fillimisht nuk kishte pranuar t’i nënshtrohej një testi të atësisë përmes ADN-së, por u urdhërua ta bënte këtë nga Gjykata e Apelit në Bruksel në Tetor të 2018. /Telegrafi/