Site icon Telegrafi

Për 10 vjet, 6 miliardë euro nga diaspora

Vetëm përmes rrugëve zyrtare bashkatdhetarët tanë të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të botës për 10 vjet kanë dërguar në Kosovë më shumë se 6 miliardë euro. Por, njohës të rrethanave ekonomike në vend vlerësojnë së shuma reale e mjeteve të dërguara është shumë më e madhe. Dërgesat e mëdha nga diaspora vlerësohen të jenë të barabarta me shumën e pagave e të gjithë punëtorëve të sektorit publik dhe privat që marrin në vendin tonë, shkruan sot, gazeta Zëri.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se gjatë dhjetë muajve të parë të vitit që lamë pas nga diaspora për në Kosovë në formë të dërgesave kanë ardhur hiç më pak se 566,7 milionë euro. Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare shihet se gjatë vitit 2015 në Kosovë në formë të dërgesave kanë ardhur 655 milionë euro, ku 121 milionë euro kanë ardhur përmes bankave komerciale, 281 milionë euro përmes agjencive për transfere të parave, si dhe 225 milionë euro përmes rrugëve të tjera.

Gjatë vitit 2014 në Kosovë sipas BQK-së në formë të dërgesave kanë ardhur 622 milionë euro, në vitin 2013 kanë ardhur 573 milionë euro, në vitin 2012 kanë ardhur 516 milionë euro, në vitin 2011 në Kosovë kanë ardhur 492 milionë euro, në vitin 2010 kanë ardhur 584 milionë euro, në vitin 2009 në Kosovë kanë ardhur 585 milionë euro, në vitin 2008 në Kosovë kanë ardhur nga bashkatdhetarët tanë 608 milionë euro, si dhe në vitin 2007 sipas të dhënave zyrtare të BQK-së bashkatdhetarët tanë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës dërguan në vendin tonë 515 milionë euro. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version