Telegrafi

Penza dhe Bashkimi zhvillojnë sfidën e katërt ‘play-offit’ në Ligën e Femrave

(Foto: basketbolli.com)

Të hënën (nesër) me fillim nga ora 19:00, do të zhvillohet ndeshja e katërt e ‘play-offit’ në EBC Ligën e Femrave ndërmjet Penzës dhe Bashkimit.

Skuadra prizrenase është në epërsi 2-1. Nëse fiton këtë përballje do të stoliset me titullin e kampionit, kurse nëse fiton Penza do të zhvillohet edhe ndeshja e pestë.

Ekipi që shënon tri fitore shpallet kampione e EBC Ligës së Femrave, shkruan në faqen e FBK-së.

Takimin e parë e fitoi skuadra pejane 63-84, kurse në dy ndeshjet tjera fituan vashat prizrenase 65-70 dhe 74-63. Sfidat finale ishin mjaft interesante dhe kështu pritet edhe të hënën mbrëma.

Në garat e rregullta, këto dy skuadra u përballën katër herë, ku tri herë fitoi Bashkimi dhe një herë Penza. Bashkimi ishte edhe në finale të Kupës, ku u mund nga Prishtina.