Site icon Telegrafi

Pentagoni pretendon se themeluesi i grupit Wagner është “vrarë”

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) ka pretenduar se themeluesi i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili humbi jetën në aeroplanin që u rrëzua në Tver, është “vrarë”.

Sipas lajmit të The Hill, zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Pat Ryder, ka folur lidhur me vdekjen e Prigozhinit.

Duke theksuar se SHBA-ja mendon se Prigozhin është vrarë, Ryder tha se, “Vlerësimi ynë i parë, i cili bazohet në faktorë të ndryshëm, është në drejtimin se ai ndoshta është vrarë”.

Lexo po ashtu A e falsifikoi Prigozhin vdekjen e tij? Këto janë disa pretendimet që e mbështesin këtë teori!

“Nuk ka asnjë informacion që të konfirmojë pretendimet se ndaj aeroplanit privat që u rrëzua është lëshuar një raketë tokë-ajër”, tha Ryder, duke shmangur komentin nëse ka shpërthyer apo jo ndonjë bombë brenda aeroplanit.

Çfarë ndodhi?

Ministria ruse e Emergjencave njoftoi se dhjetë persona humbën jetën si pasojë e rrëzimit të një aeroplani privat në rajonin Tver të Rusisë.

Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë (Rosaviatsiya) informoi se në mesin personave që humbën jetën në aeroplanin e rrëzuar ndodhej edhe themeluesi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin.

Në disa kanale në Telegram të afërta me grupin Wagner u pretendua se aeroplani u rrëzua nga sistemet e mbrojtjes së ushtrisë ruse.

Prigozhin bashkë me luftëtarët e tij mercenarë më 24 qershor nisën një rebelim të armatosur kundër udhëheqjes ushtarake ruse. Rebelimi përfundoi me ndërmjetësimin e presidentit bjellorus, Aleksandar Lukashenko. /AA/

Exit mobile version