Një karrierë që nisi në qytetin e tij të lindjes, Mitrovicën, e u mbyllë pikërisht aty. Është ky mbrojtësi legjendar mitrovicas, Fetah Ibrahimi.
18 vite më parë debutoi me Trepçën ‘89, duke lënë të kuptohej që një mbrojtës i ri, shumë luftarak po rritej me ngjyrat gjelbër e zi.
Fetah Ibrahimi, qëndroi për tri vite te 89-shi, duke qenë i padiskutueshëm në pozitën e tij.
Me “minatorët”, mbërriti deri në finale të Kupës, para se të largohej nga stadiumi “Riza Lushta”.
“Gërmimi” i tij për trofe, vazhdoi në të njëjtin qytet pak kilometra nga aty.
Synimi doli të jetë i suksesshëm vetëm në vitin e tij të dytë te Trepça.
Me këtë skuadër ai fitoi dy titujt, atë të kampionit të Kosovës dhe Superkupës.
Padyshim në këtë sukses madhështor të “xehetarëve”, rol kyç pati Ibrahimi, i cili me depërtimet e tij “shpërthyese” nga krahët dhe këmbëngulësinë në mbrojtje, qe njëri nga më meritorët.
Me Trepçën u shpallë kampion edhe në Ligën e Parë të Kosovës, në vitin 2015.
Veç dy skuadrave mitrovicase, mbrojtësi i krahut të djathtë, ishte pjesë e Drenicës dhe Vushtrrisë.
Pak vite para se të përshëndetej me futbollin, ai fitoi çmimin si “Futbollisti i vitit 2018” në Mitrovicë.
Fetah Ibrahimi, u pensionua në ndeshjen e fundit të edicionit 2021/22, në Ligën e Parë, para publikut vendës me fanellën e Trepçës, ku u nderua nga klubi dhe morri duartrokitjet e merituara për karrierën e tij të gjatë në futbollin kosovar.
36-vjeçari gjithmonë do të mbahet në mend si një prej futbollistëve më “fair-play” dhe fjalë-pak, duke lënë fushën e blertë të bëjë “zë” për cilësitë e tij prej një mbrojtësi me karakter fitues. /Telegrafi/