Festivali më i madh i filmit në Kosovë që do të ndodh javës që vjen në Prishtinë, PriFest, lajmëron se përveç studentëve që kanë pasur mundësinë që gjithmonë t’i shohin filmat falas, nga ky vit këtë mundësi do ta gëzojnë edhe pensionistët. Të gjithë pensionistët e Kosovës do të mund të ndjekin falas çdo film në festival gjatë një jave të tërë nga data 22-29 prill!
“Çdo vit të gjithë filmat që shfaqen në festivalin tonë janë të përkthyer e të titruar në shqip. Kemi filma shumë të veçantë që mundësi e vetme është të shikohen vetëm gjatë PriFest, andaj pse mos t’ua japim mundësinë atyre që kohën e lirë e kanë me bollëk, pensionistëve, të dalin çdo natë dhe të kënaqen gjatë javës së festivalit! Mjafton të dalin në qytet të vinë në njërën nga hapësirat e festivalit dhe të marrin programin e filmave që mund ta gjejnë te ne dhe vullnetarët e stafi ynë do t’u ndihmojnë të zgjedhin filmat që duan. Madje, këtë mund ta bëjnë edhe për natën e hapjes solemne të festivalit, sepse në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, më 22 prill në mbrëmje, do të vendosim 1000 karrige dhe mund të vijë kush të dojë ta ndjek hapjen e festivalit dhe filmin Mediterranea”, u shpreh drejtoresha e festivalit Vjosa Berisha.
PriFest këtë herë vjen në katër ambiente të tjera të cilat janë Salla e Kuqe dhe Atele Salla tek Pallati i Rinisë (ish-Boro e Ramizi), hapësira Open Air në sheshin “Zahit Pajaziti” ku çdo film lëshohet falas çdo natë dhe në rast të motit të keq apo shiu filmi nga kjo hapësirë zhvendoset në Sheshin 21. Përpos tyre, filma do shfaqen dhe në Amfiteatrin e American School of Kosova dhe në Sheshin 21, ku gjithashtu do mbahet PriFORUM dhe workshop-et e shumta për profesionistë të filmit me shumë ekspertë të huaj të kësaj fushe.