Telegrafi

Kundërkandidatët e Blerim Rekës tani shpresojnë në votat e tij

Kryeministri dhe kryetari i LSDM Zoran Zaev në konferencë për shtyp dje tha se në rrethin e dytë qytetarët që kanë votuar Blerim Rekën do votojnë për Stevo Pendarovskin.

Në pyetjen pse votuesit që votuan Rekën do ta votonin LSDM-në, Pendarovski tha se dallimi mes konceptit që ai promovon dhe konceptit që e promovon kundërkandidatja e tij. Koncepti i tij, siç tha ai, ka mundësi më të mëdha të prekë qytetarët shqiptarë dhe se Siljanovska zbaton koncept të shekullit të 19-të, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas tij, koncepti i kundërkandidates së tij që mbështetet nga kryetari i OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski është etno-centrik dhe në të nuk ka vend vend për asnjë bashkësi etnike përveç maqedonasit dhe se në konceptin e tij ka vend për të gjithë.

Siljanovska në paraqitjen e saj të djeshme, tha se nëse votat e Blerim Rekës i shtohen votave të saj, “tregimi” për president të shtetit do të merr fund, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Nëse votat që ne kemi fituar, ia shtojmë votat që ka marrë kandidati i pavarur Blerim Reka, tregimi për kryetar shteti do të përfundojë dhe atëherë do të mund të shpresojmë për të ardhme evropiane”, tha mes tjerash Siljanovska.

Nga ana tjetër kandidati Blerim Reka, pas përfundimit të procesit zgjedhor, tha se votat që ka marrë ai nuk janë për tregti./Telegrafi/