Site icon Telegrafi

Pendarovski: E di se BE merret me veten, por ne duam të shohim dritë në fund të tunelit

“E di se Bashkimi Evropian merret me veten, por duhet ta dijë se në Ballkan jemi 30 vjet në tranzicion dhe duhet të shohim dritë në fund të tunelit”, deklaroi sot presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, në intervistë për televizionin “N1”, gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin e Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore, që u mbajt në Sarajevë.

Ai tha se pret që Maqedonia e Veriut në vjeshtë t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Të them hapur ne në Maqedoninë e Veriut jemi pak të shqetësuar nga deklaratat e dyfishta të Komisionit Evropian si tërësi. Vitin e kaluar në Sofje në samit, kishim formulim të pastër dhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të fillojnë negociatat, gjegjësisht do të marrin datë në qershor 2019. Kjo nuk ndodhi. Ne jemi të bindur nga zyrtarët e njohur gjermanë, se kjo është vetëm shtyrje teknike, e pranuam dhe do të presim deri në shtator për vendimin e Bundestagut dhe deri në tetor për vendimin e BE-së. Megjithatë, e parashtrojmë pyetjen: çfarë nëse ndonjë kuvend i ndonjë vendi tjetër, për arsye të njëjta teknik e shtyn procesin, pasi atje ka vendosje me parimin e konsensusit”, thotë Pendarovski.

Sa i përket ndryshimit të pushtetit në Greqi, Pendarovski tha se nuk pret ndryshim tek pala greke në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, por pret qëndrim më të ngurtë në lidhje me zbatimin e marrëveshjes.

Ai në këtë intervistë e përsëriti qëndrimin se transformimi i brendshëm i BE-së dhe nisja e bisedimeve me vendet kandidate duhet të zhvillohet paralelisht./Telegrafi/

Exit mobile version