Site icon Telegrafi

Peleshi: Protesta e opozitës, kundër një vendimi të formës së prerë të Drejtësisë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi u shpreh sot se mazhoranca nuk dëshiron që të ketë një parlament të pastabilizuar, por kërkon debat të fortë me opozitën brenda disa vijave të kuqe.

Në një prononcim për medie nga Korça, Peleshi komentoi situatën e krijuar në Kuvend nga opozita, pas burgosjes së deputetit demokrat, Ervin Salianji.

Peleshi tha se nuk është përgjegjësia e PS se çfarë bën opozita, por theksoi se vendimet që merren duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.

“Mazhoranca përgjigjet për sjelljen e vet politike, ligjore, natyrisht për raportet e veta me institucionet kushtetuese, siç është Parlamenti dhe besoj se nuk është në diskutim mazhoranca për momentin. Ne jemi në detyrë, jemi në Kuvend, respektojmë Kuvendin dhe bëjmë detyrën. Trazirat apo ngjarjet e fundit të pahijshme për sjelljen politike në Kuvend, besoj duhet të pyesni opozitën”, tha ai.

Duke komentuar përjashtimin e deputetëve demokratë nga punimet e Kuvendit, Peleshi tha se nuk i vjen mirë qoftë edhe për një deputet të jetë i përjashtuar.

“Grupit tonë parlamentar nuk i intereson të ketë një seancë jo normale apo me përjashtime. Ne duam të kemi një seancë normale, me debat të fortë, por brenda disa vijave të kuqe. I vetmi problem që shohim në politikën e këtyre viteve është kuptimi i vijave të kuqe. Të debatojmë, por jo të dalim përtej”, tha ai.

Peleshi e konsideroi të paprecedentë situatën e krijuar nga opozita në Kuvend.

“Ajo që ndodhi në Kuvend ishte e paprecedentë, por ne nuk duam ta kemi prezent dhunën në Parlament dhe ta eskalojmë nga një krizë ndërpartiake, tek tjetra. Këto janë mendimet tona jo vetëm personale, por edhe të grupit parlamentar, nuk është dëshira jonë të ketë një Parlament të pastabilizuar”, tha Peleshi.

Peleshi u ndal edhe te protesta e paralajmëruar të hënën nga opozita.

“S’mund të komentoj çfarë vendos opozita, protesta është një element demokratik, nuk është një herezi. Protesta e dhunshme pastaj është diçka tjetër, por unë nuk mund ta paragjykoj. Protesta është zgjedhja e tyre, kërkesat politike ata mund t’i formulojnë sipas orekseve politike të veta, por unë nuk shikoj se ka ndonjë arsye që të vihet në diskutim Qeveria. Për ç’arsye, për shkak të një vendimi të formës së prerë të një sistemi të pavarur nga qeveria? A po flasim pasi kemi kryer së bashku një reformë në drejtësi? E kemi votuar me 140 vota, me duartrokitje. Tani të gjykojmë ne vendimet e gjykatave? Për këtë arsye të dali në protestë?”, u shpreh ai. /Telegrafi/

Exit mobile version