Site icon Telegrafi

Pele ia tregon vendin Neymarit

Legjenda e Brazilit, Pele, insiston se Neymar nuk e ka kualitetin as të bashkëlojtarit të tij te Barcelona, Lionel Messi e as të ikonës së Real Madridit, Cristiano Ronaldo.

Ylli 24-vjeçari nga Brazili, i cili ka shënuar 31 gola në të gjitha garat sezonin e fundit, doli i treti pas Messit dhe Ronaldos në votimet për Ballon d’Or pasi ndihmoi Barcën në fitoren e tripletës më 2014-15.

Por bashkëvendësi i tij Pele – pa dyshim lojtari më i mirë i të gjitha kohëve – thekson se Neymar nuk është në kuadrin e njëjtë me Messin e Ronaldon, transmeton Koha.net.

“E kam njohur Neymarin që kur ka qenë i vogël dhe shumë vite më parë trajnerët e tij më thoshin se a ishte shumë i mirë. Është e vërtetë, mirëpo ai s’e ka kualitetin e Ronaldos apo të Messit. Nëse do t’më duhej të thosha se kush është lojtari më i mirë sot, do të thosha Lioneli. Portugezi ka një stil tjetër të lojës, por më i miri është Messi, sipas mendimit tim”, ka thënë Pele për Marca.

Ai e ka kritikuar edhe stilin e lojës së Neymarit, i cili është akuzuar shpesh se luan vetëm për vete. “Jo të gjithë e bëjnë këtë – as Zico e as Pele s’e kanë bërë këtë – prandaj nuk është gjë e zakonshme. Secili e ka stilin e vetë. Mirëpo, gjithmonë duhet respektuar kundërshtari, siç ka bërë Romario, për shembull”, ka përfunduar ai.

Exit mobile version