Telegrafi

Pejë, një muaj paraburgim për personin që dyshohet për vrasje

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.B, për shkak se dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale vrasje.

Në njoftimin e bërë nga Gjykata Themelore në Pejë, thuhet se të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, transmeton Telegrafi.

“Me datë 29 gusht 1999, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin C.M, në atë mënyrë që ditën kritike pas një fjalosje të shkurtë që kanë pasur pikërisht në oborrin e një shtëpie ku ishte duke banuar i ndjeri, me ç’rast pas kësaj fjalosje i pandehuri fillimisht e godet me shuplakë e pastaj nga një qerre kali nxjerr një anësore (shufër druri) dhe me të njëjtin e godet viktimën në anën e pasme të kokës, ku i ka shkaktuar plagosje të rëndë trupore me gjakderdhje të brendshme, shkaku i të cilave plage viktima ka vdekur të njëjtën ditë në Spitalin Regjional në Pejë.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje nga neni 30 al.1 të LPK-së”, thuhet në njoftim.

Gjykata Themelore në Pejë bën të ditur se kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/