Telegrafi

Pejanët vazhdojnë ndërkombëtarizimin e shtigjeve të reja ndërkufitare

Çiklistët  pejanë nuk kanë të ndalur, ata po vazhdojnë pedalimin në shtigje të reja ndërkufitare.

Këtë herë ata kanë pedaluar në shtegun malor Via Dinarica, i cili kalon nëpër Bjeshkët e Nemuna dhe lidhë pjesën verilindore të Malit të Zi me pjesën perëndimore të Kosovës.

Grupi i çiklistëve pejanë i përbërë nga 6 persona shtegtoi një rrugë prej 110 kilometrash, duke filluar nga qyteti i Rozhajes, pastaj përgjatë Grykës së Rugovës, duke arritur deri në fshatin Padesh në veri të Shqipërisë.

Shtegu i Kosovës fillon nga Qafa e Hajles në Rugovë pastaj kalon në Pepaj nga aty kalohet në Reka të Allagës për të arritur në fshatin Malaj. Nga fshati Malaj kalohet në Milishevc për të zbritur në Deçan.

Nga këtu kalohet në Rastavicë dhe më pas në Junik, ku çiklistët pejanë kanë arritur në parkun e bukur të Moronikës. Nga aty kanë vazhduar shtegtimin për në Koshare për të arritur më pas në vijën kufitare me Shqipërinë.

Përgjatë këtij shtegu ata kanë kaluar disa prej bukurive natyrore dhe trashëgimive kulturore të pjesës perëndimore të Kosovës siç është Gryka e Rugovës, Kullat e Dukagjinit, Manastirin e Deçanit, duke pasur mundësi të shijojnë edhe gatimet  tradicionale që ofrohen në këtë zonë.

Ky aktivitetet sportivo-relaksuese u bë më 23 – 24 qershor dhe ka si qëllim promovimin dhe zhvillimin e turizmit ndërkufitar.

Ndërtimi i shtegut malor për çiklizëm Via Dinarica është përkrahur nga Komisioni Evropian në Kosovë dhe është implementuar nga CDF Community Developmnet Fund.