Telegrafi

Peja me mungesa, por Veseli premton fitore kundër Prishtinës

Kryendeshja e xhiros së 25-të në elitën e basketbollit kosovar, do të luhet të dielën në “Karagaçi”, ku Peja e pret Sigal Prishtinën me fillim nga ora 19:30.

Prishtina i ka realizuar katër fitore radhazi ndaj Pejës në pjesën e dytë të edicionit, duke llogaritur këtu të gjitha garat, Superligën, Kupën e Kosovës dhe Ligën Ballkanike.

Peja tri herë i ka mposhtur bardhekaltrit, por kjo ka ndodhur në vitin 2015, më saktësisht në stinorin vjeshtor, transmeton Telegrafi.

Basketbollisti prishtinas i Pejës, Alban Veseli ka thënë se skuadra pejane ka mungesa në ekipi, por kërkon fitore kundër prishtinasve.

“Ndonëse kemi mungesa në përbërje ne do të hyjmë në këtë ndeshje për të shënuar fitore. Është një derbi ku takohemi rivalët e vjetër dhe për këtë arsye do të bëjmë përpjekje maksimale që të triumfojmë para shikuesve tanë”, tha Veseli. /Telegrafi/