Peja e ka mposhtur Prishtinën në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Kosovës në basketboll të zhvilluar në palestrën “Karagaçi” me rezultat 74:71.
Çerekfinalja zhvillohet në dy ndeshje, ku ndeshja e kthimit është pas një jave në Prishtinë.
Ndeshja ishte interesante dhe me fund dramatik. Çerekun e parë e fitoi Peja me rezultat 20:16. Prishtina u përgjigj në çerekun e dytë, të cilin e fitoi 23:21.
Në pushimin e gjatë në epërsi prej dy pikësh ishte Peja, 41:39.
Në çerekun e tretë Prishtina u shkëput deri në tetë pikë, 56:48, por vendasit u afruan në katër pikë, 58:54.
Me të nisur çereku i katërt Peja kaloi në epërsi 59:58 me një treshe të Dardan Berishës, duke bërë që edhe në vazhdim të ruajë këtë epërsi.
Tristan Ikpe ishte më i miri te Peja me 23 pikë e gjashtë kërcime, ndërsa, Dardan Berisha shtoi 16 pikë.
Te Prishtina u dallua Josh Nzeakor me 22 pikë e tetë kërcime. /Telegrafi/