Site icon Telegrafi

Dramë, Peja fiton duelin e parë të serisë finale (Video)

Peja e ka fituar duelin e parë të finales së madhe të ‘play-offit’ në Superligën e Kosovës në basketboll duke mposhtur Sigal Prishtinën në “Karagaçi” me rezultat 77-76.

Basketbollistët nikoqirë e nisën më mirë sfidën duke e dominuar kundërshtarin në minutat e para, por mysafirët arritën të këndelleshin në vazhdim, sidoqoftë çereku i parë u mbyll me epërsi vendasve (23:15).

Kryeqytetasit bënë një rikthim të mirë në çerekun e dytë, madje duke e përmbysur epërsinë e pejanëve, sidoqoftë nikoqirët ia dolën që ta rikthenin sërish avantazhin, por me një treshe të Dardan Berishës, skuadrat shkuan në pushim me rezultat të barabartë (41:41).

Lufta e dy rivalëve vazhdoi edhe në çerekun e tretë, i cili përfundoi përsëri me një treshe të vizitorëve që e mbyllën me katër pikë epërsi (57:61).

Drama nuk pati të ndalur as në çerekun e fundit, duke qenë se skuadrat kishin vazhdimisht rezultat të përafërt duke avancuar herë njëra, e herë skuadra tjetër. Dhe në fund më efikasë u treguan basketbollistët e Pejës që triumfuan me një pikë epërsi (77-76).

Theksojmë se rivaliteti i madh mes këtyre dy ekipeve do të vazhdojë fuqishëm në duelet tjera finale, pasi ato e kërkojnë me ngulm titullin. Pejanët e dëshirojnë titullin e kampionit, pasi nuk arritën të fitojnë Kupën dhe nuk u kualifikuan as në gjysmëfinale të Ligës Ballkanike, derisa prishtinasit kërkojnë trofeun e tretë për këtë edicion pas Kupës së Kosovës dhe triumfit në Ligën Ballkanike.

Ndryshe, skuadra që shënon tri fitore do të shpallet kampion për edicionin 2015/2016. Kampionë në fuqi janë kryeqytetasit. /Telegrafi/

Mintutat e fundit te takimit dhe festa e KB Peja.

Posted by Telegrafi Sport on Sunday, 8 May 2016

Exit mobile version