Telegrafi

Pederastia në Byronë Politike të PPSH-së

Ish-drejtori i Arkivit në Ministrinë e Brendshme, historiani, Kastriot Dervishi, ka publikuar pasazhin e një dokumenti që tregon për një procesverbal të një mbledhje të fillimit të viteve ’50 të shekullit të kaluar, në Byronë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH).

Dervishi thotë se në këtë mbledhje u përmend një emër i njohur që u vendos në postet më të larta dhe më jetëgjatët në PPSH, pavarësisht se për të u tha që ishte “pederast pasiv”.

“Në një mbledhje të fillimit të viteve ’50, u diskutuan disa figura që do merrnin poste të rëndësishme në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe në rrethe. Ndër të tjerë, u propozua për instruktor në KQ një emër i njohur. Askush nuk diskutoi për të.

I vetmi që flet kundër tij është Gogo Nushi. Në procesverbalin përkatës, janë shënuar këto fjalë:

‘Gogua thotë se ky është me emër të keq. Para lufte ay ka qenë pederast pasiv dhe kjo nuk shkon. Atëherë pranohet të hiqet’.

Të bën përshtypje mungesa e diskutimit në Byronë Politike. Askush nuk e kritikon kuadrin veç G.Nushit. Çështja është mbyllur si me zamkë dhe është kaluar në emra të tjerë.

Nuk u pranua për instruktor, por kuadri në fjalë u vendos në poste më të larta. Ai është ndër më jetëgjatët e Partisë së Punës së Shqipërisë. Ai ishte edhe ‘veteran i nderuar’ i luftës dhe mbahej ndër kuadrot më të mirë të partisë.

Qysh nga viti 1951 ishte sekretar i parë në disa rrethe si Lushnje, Berat, Fier, Peshkopi, etj. Partia e Punës ia dinte vesin e keq. Megjithatë, nuk bë kurrë pengesë që ai të vazhdonte karrierën gjithnjë të sukseseshme në drejtim”, ka shkruar Dervishi.