Telegrafi

Pedagogia dhe këngëtarja amerikane që i do shqiptarët

Është 40 vjeçe dhe e verbër që nga lindja, por kjo nuk e ka penguar aspak pedagogen e gjermanishtes dhe të italishtes, njohësen e nëntë gjuhëve të huaja – mes tyre edhe të shqipes – sopranon dhe poeteshën amerikane Carrie Hoooper, të ecë drejt dijeve dhe promovimit të vlerave.

Ka krijuar kontakte miqësie e dashamirëse me botën shqiptare në diasporë, të cilat siç shprehet se kanë qenë ndihmesë e mrekullueshme e profesionale për mësimin dhe perfeksionimin e gjuhës shqipe – me saktësi gramatikore, letrare dhe rrjedhshëm në të folur e shkruar.

“Fillova të mësoja shqip në tetor 2008 pasi kisha një student nga Shqipëria në kursin e italishtes që i dhashë”, thotë ajo. “E gjeta një libër në alfabetin brail nga Biblioteka e të verbërve në Angli, nga Isa Zymberi. Pasi e mbarova librin e Zymberit, lexova një libër audio me përrallë shqiptare që mora nga Biblioteka e të verbërve në Suedi. Për më tepër bleva një fjalor shqip-anglisht që një grua në qytetin tim ma transkriptoi në brail”.

Hoooper shkruan edhe poezi në shqip. Për këtë thotë se i pëlqen të shprehet në një gjuhë tjetër.

“Është e rëndësishme që shqiptarët të ruajnë gjuhën e tyre dhe ta flasin sa më e bukur. Kam dëgjuar shumë shqiptarë që flasin shpejt, por duke folur shpejt humbet qartësia dhe pengohet komunikimi. Prandaj, shqiptarë, flisni ngadalë dhe merrni kohën e duhur të formoni fjalët plotësisht. Nuk dua të them që dialektet janë të këqija, përkundrazi krijojnë shumllojshmëri dhe janë shumë interesante, por në të njëjtën kohë njerëz kanë nevojë të zotërojnë gjuhën letrare dhe të komunikojnë mirë në çfarëdo situate. Është e rëndësishme që prindërit t’u mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe si dhe traditat dhe kultura shqiptare sepse gjuha, kultura, dhe traditat i jep popullit identitetin e tij dhe e bashkon kudo që të jetojë”, thotë ajo. /Bisedoi: Raimonda Moisiu/