Telegrafi

Peci: Vilat e gurit në Rugovë janë ndërtuar në tokën e shtetit, shtatë muaj nga denoncimi nuk ka reagim nga Prokuroria

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se Prokuroria nuk është duke treguar se nga kush janë duke u ndërtuar vilat në Stankaj të Rugovës, ku sipas tij ndërtimi i atyre është bërë në tokën e shtetit.

“Çile guri gojën prokuroria… Mediave po ju ikë ky lajm…Të kujt janë këto villa dhe pse po heshtet”.

“Po, duke heshtë bash si këto villat e gurit në Stankaj të Rugovës, të ndërtuara në tokë të shtetit bash nga ata që për mandat kanë patur ruajtjen e tokës dhe pronës shtetërore e jo keq-përdorimin e saj”, shkroi Peci.

Tutje thotë se këto raste i ka denoncuar para 7 muajve dhe sipas tij Prokuroria nuk ka bërë as ndonjë veprim.

“7 muaj kanë kaluar prej se kam denoncuar publikisht këto uzurpime dhe asnjë reagim, asnjë veprim i ndërmarrë… Për të tilla denoncime duhet reaguar brenda 24 orëve besoj unë…”, shkroi Peci në Facebook.