Në #TelegrafiSpace në Twitter është diskutuar për kërkesën e Kosovës që të anëtarësohet në NATO, pas zhvillimeve të fundit që kanë në ndodhur në Ukrainë pas agresionit rus.
Eksperti i sigurisë, Lulzim Peci, gjatë diskutimit ka thënë së anëtarësimi i Kosovës në NATO do të amputonte ndikimin e Rusisë në rajon.
Po ashtu, Peci ka thënë se anëtarësimi në NATO do të sillte siguri të madhe.
“Kërkesa për anëtarësim është legjitime, dhe në këtë situatë kjo kërkesë mund të shikohet nga një anë tjetër, pasi Serbia ka marrë një qëndrim drejt rreshtimit nga Moska. Kosova qëndron mirë në një aspekt sepse neve nuk na duhet anëtarësimi në OKB që të anëtarësohem në NATO, kjo është avantazh për Kosovën, meqenëse anëtarësimi në OKB mbetet storie shumë e largët”, tha ai.
Sipas Pecit, rruga e Kosovës drejt NATO-s shkon përmes Washingtonit, katër vendeve që nuk na kanë njohur dhe dialogut me Serbinë.
“Në këtë situatë neve do të na duhej dhe një sponsor në NATO, idealisht do të ishte SHBA, Gjermania…”, theksoi ai.
Gjatë diskutimit, eksperti ka thënë se Kosova nuk mund të bëjë shumë që të ndryshojë qëndrimin e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën e që janë anëtarë të NATO-s, por që këtë mund ta bëjë SHBA.
“Çështja kryesore për anëtarësim në NATO është të fitohet përkrahja në senatin amerikan. Po ashtu duhet të kemi mbështetje të administratës amerikane, për këtë arsye ne duhet të kemi fokus të veçantë në SHBA”, theksoi ai.
Peci mes tjerash tha se NATO-s i duhet Kosova që të jetë anëtare e saj, për shkak të stabilitetit.
“A i duhet NATO-s në këtë moment Kosova? Po Kosova patjetër që i duhet për shkak të stabilitetit në rajon, është vend i vogël, por anëtarësimi mund të ketë efekt të madh”, theksoi ai.
Folës tjetër në këtë diskutim janë edhe dy ekspertët e sigurisë Florian Qehaja dhe Agon Maliqi.
Diskutimin mund ta ndiqni KËTU. /Telegrafi/