Site icon Telegrafi

Peci: NATO dhe QUINT-i të reagojnë ndaj deklaratave të Vuçiqit

Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i Institutit “KIPRED”, duke komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit ka ironizuar me NATO-n dhe QUINT-in, ka thënë se duhet të presim reagimin e tyre.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se është skeptik për rezultatet e takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel më 18 gusht.

Ai madje ka thënë se “mesazhi im për Quint-in, para së gjithash – shkojmë me mirëbesim, duam të diskutojmë për gjithçka”.

“Ju mund të bëni gjithçka me forcë, por vetëm me forcë. Të na detyroni të heqim dorë nga të drejtat tona, të marrim pjesë në shkatërrimin e vendin tonë dhe marrëveshjet e nënshkruara – as mos u mundoni e as mos ëndërroni”, ka shtuar Vuçiq në një konferencë shtypi.

Lexo po ashtu Vuçiq thotë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk mund të jetë organizatë joqeveritare

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Peci, duke thënë se “para shkuarjes në Bruksel për takimin e ardhshëm me Kurtin, në konferencën e sotme për shtyp, Vuçiqi paska zgjedhur me terma dramatik të ironizojë me NATO-n dhe Kuintin që me forcë mund të bëjnë çfarë të duan në këtë pjesë të botës (por jo edhe gjithkund), se Serbia nuk mund të detyrohet ta pranojë vetëshkatërrimin, si dhe të akuzojë Kosovën që planifikon vrasjen e serbëve në veri të vendit, gjë të cilën e bëjnë vetëm shtete kriminale”, transmeton Telegrafi.

“Presim të shohim edhe reagimin e Kuintit dhe NATO-s, pas këtyre deklaratave të Vuçiqit”, tha Peci.

Takimi Kurti-Vuçiq i 18 gushtit do të jetë takimi i parë mes dy liderëve pas më shumë se një viti. Për herë të fundit në Bruksel ata u takuan në korrik të vitit 2021.

Javën e kaluar, shefi i diplomacisë së bllokut, Josep Borrell, ftoi Kurtin dhe Vuçiqin për takim në Bruksel. Ftesa u bë në kohën kur tensionet u rritën në veri të Kosovës, pasi serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht vendosën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës – për targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimeve, pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar.

Barrikadat e vendosura në rrugët që çojnë për në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë u hoqën pasditen e 1 gushtit. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version