Ish-ambasadori Lulzim Peci i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të bëjë më shumë për qytetarët serbë në veri të vendit në mënyrë që të shkëputen nga kontrolli i, siç i quajti ai, të elementëve të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Gjatë punimeve të Seminarit të 102-të të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”, Peci tha se Kurti kishte premtuar dialog me komunitetin serb.
“Kryeministri Kurti gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar dialog me komunitetin serb në Kosovë, por sipas meje nuk ka hapa të dukshëm e të rëndësishëm që janë ndërmarrë në këtë drejtim nga Qeveria e Kosovës deri tash. Në anën tjetër mos implementimi i vendimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me manastirin e Deçanit ka ndikim negativ në ndërtimin e besimit mes Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit serb”, tha ai.
Peci tha se shqetësimet kyçe të serbëve të Kosovës janë, jostabiliteti politik, migracioni, siguria dhe korrupsioni.
Drejtori i KIPRED u shpreh se në veri ka elemente kriminale që armatosen nga vetë presidenti i Serbisë për këtë gjë tha se nuk e fsheh më as vet Aleksandër Vuçiq.
“Kjo për faktin se politikat e Serbisë, politikat hegjemoniste të Serbisë për ndarje të Kosovës janë aty… Në krahasim me pjesën jugore jeta e komunitetit serb në veri është në kontroll të plotë, jo vetëm të Listës Serbe apo edhe të elementeve të shtetit serb dhe strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe grupeve kriminale të cilat kontrollohen nga rrethi i ngushtë i presidentit Vuçiq… Po ashtu në pjesën veriore është një sentiment i fuqishëm pro-Rusi dhe pro-Putinit… Kur bëhet fjalë për popullatën serbe në pjesën verore, deri tani qeveria ka përdorur instrumentin administrativ dhe atë të pushtetit të fortë, pra nuk është bërë diçka më shumë nga qeveria për të fituar zemrat dhe mendjet e komunitet serb në veri. Kryeministri Kurti i ka bërë disa gjeste simbolike, duke u drejtuar komunitetit serb në gjuhen serbe që nuk është diçka e zakonshme në jetën tonë politike por mendoj se kjo nuk mjafton. Qeveria duhet të ndërmarrë edhe masa të pushtetit të butë në mënyrë që kjo pjesë e popullatës të ndjehet më rehat”, tha ai.
Peci tha se pavarësisht retorikës së tensionuar nuk ka potencial për një konflikt të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka numëruar problemet kyçe për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, derisa ka shtuar se e ardhmja e Kosovës varet edhe nga njohja e pesë shteteve anëtare të BE-së.
“Integrimi i serbeve të Kosovës dhe i veriut varet nga rezultatet e dialogut të moderuar nga BE-ja. Asociacioni i komunave me shumicë serbe, njohja e diplomave, menaxhimi i integruar ndaj kufirit, demarkacionin kufirit mes dy shteteve, pa u përfunduar këto nuk mund të ketë një normalizim sepse çështjet mbesin të hapura. Sipas strategjisë së fundit për zgjerim nga BE-ja është obligim i çdo shteti nga Ballkani Perëndimor t’i përfundojë të gjitha këto pika deri në vitin 2025… Mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë përmbajnë aspektin e sigurisë e jo atë multietnik. Është koha që të ndryshojë mënyra e fasilitimit të dialogut nga BE-ja, ky dialog duhet të lëvizë nga fasilitimi në ndërmjetësim, me fasilitim nuk do të jemi në gjendje që të lëvizim drejt një marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo kjo politik duhet të përcillet edhe me një dimension tjetër, me konvergjencën e politikave mes SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe Francës me pesë shtetet të cilat nuk e njohin ende Kosovën. Pesë shtetet e BE-së, mos njohëse ndaj Kosovës janë pjesë e problemit dhe e zgjidhjes së mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë… Kjo e ardhme është në pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën”, ka shtuar Peci.
Më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere, deputetë te Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të ftuar të tjerë, po marrin pjesë në takimin treditor të këtij seminari, që po organizohet për herë të dytë në Kosovë./KP/Telegrafi/