Telegrafi

Peci: Arrestimi i Arsenijeviqit, akt i turpshëm

Ish ambasadori i Kosovës, Lulzim Peci e ka quajtur akt të turpshëm të Policisë së Kosovës arrestimin e politikanit serb Aleksandar Arsenijeviq për shkak të fishkëllimës gjatë vizitës së kryeministrit Kurti në Mitrovicë. 

Peci, që është drejtor i KIPRED, ka thënë se “me këtë  jo vetëm që Policia e ka  privuar nga liria një qytetar që ka protestuar në mënyrë joviolente, por me këtë e ka bërë edhe zhbërjen e narrativit të rendit e ligjit, te cilin me aq zë të lartë e propagandon Qeveria e Kosovës”.

“Pastaj, ejani dhe bindeni dikë që institucionet e tona i respektojnë të drejtat e njeriut dhe që i respektojnë të drejtat e komuniteteve jo-shumicë. Me këtë qasje irracionale dhe antikushtetuese, keni më e kërkuar Asociacionin, por nuk keni me e gjet!”, ka shkruar Peci, në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.

Më tej ai thotë se “shoqërisë civile dhe partive opozitare nuk ju bën nder heshtja kur shkelen të drejtat e njeriut, e aq më tepër kur kjo ju bëhet pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë”.

“Heshtja nuk është asgjë më shumë e as më pak sesa pranim i akteve të tilla, dhe bashkëpjesëmarrje në rrënimin e liberal demokracisë në vendin tonë!”, ka shkruar Peci. /Telegrafi/