Lulzim Peci, drejtor i Institutit KIPRED, ka komentuar vizitën e paralajmëruar të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke theksuar se kjo vizitë nuk është e rastësishme.
Peci tha se ardhja e Rutte në Kosovë dhe Bosnje është një sinjal i Perëndimit që ka për qëllim të parandalojë eskalimin e tensioneve në rajon.
”Ardhja e Rutte nuk është ngjarje e rastit. Ardhja e tij në Kosovë dhe Bosnje është një pretendim se në këtë moment nuk dëshiron që në këtë periudhë të tensionohet situata në rajon, që ky tensionim i situatës t’i shërbejë Rusisë apo armiqve të Evropës. Ne nuk kemi kapacitet me shkaktu ndonjë konflikt të madh, por mjafton me kriju problem të madh”, tha Peci, për RTV21.
Sipas tij Kosova duhet pikë së pari t’i plotësojë dy kritere kyçe për anëtarësim në NATO.
Peci theksoi se problemi i brendshëm, përfshirë atë të veriut, duhet të zgjidhet para se të merret parasysh anëtarësimi.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e rregullimit të marrëdhënieve me fqinjët, pasi NATO nuk është e gatshme të pranojë shtete që mbajnë ende probleme të pazgjidhura.
”Kriteret për anëtarësim në NATO, pikë së pari duhet me i zgjedh problemet e brendshme. Ne pa i zgjedh problemet me veriun, vetëm në kushte të jashtëzakonshme mundemi me u pranu në NATO. E dyta është me i rregullu marrëdhëniet me fqinjët, sepse NATO nuk dëshiron me i bart problemet e tua të brendshme dhe ato me fqinjët”, tha Peci.