Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka reaguar pasi kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka njoftuar se 20 ligjet e miratuara të enjten e javës së kaluar në Kuvendin e Kosovës do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese.
Bislimi ka thënë se “me njoftimin e PDK-së se 20 ligjet e miratuara të enjten e kaluar në seancën e Kuvendit do t’i dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese, dëshmohet qartë që jo vetëm se ky është mjet i tyre për të tentuar ndalimin e hovit të avancimit dhe zhvillimit të shtetit, por edhe se ndihen të kërcënuar nga një shtet që zhvillohet e bën progres”.
“Në mesin e 20 ligjeve të miratuara më 5 dhjetor, janë edhe tre ligje kyçe për zhvillimin financiar të vendit, të cilat i hapin rrugën anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave Evropiane (SEPA)”, ka shkruar Bislimi në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.
Bislimi thotë se bëhet fjalë për Ligjin për bankat, Ligjin për shërbimet e pagesave dhe Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e terrorizmit. “Ligjet janë të parapara të sjellin më shumë transparencë financiare në vend, përafrim me tregun e Bashkimit Evropian si dhe përfitime të prekshme për qytetarët”.
“Anëtarësimi në SEPA do të sjellë dhe një ulje të kostos së pagesave ndërkufitare deri në 55 milionë euro në vit. Ato janë një lehtësim i madh për familjet që pranojnë para nga të afërmit jashtë vendit dhe për bizneset që operojnë me partnerë ndërkombëtarë. Pra PDK-ja po ka qëllim që t’i dëmtojë qytetarët dhe bizneset në koston e të paktën 55 milionë eurove në mënyrë direkte në vit”.
Më tej ai ka thënë se “pjesë e seancës së kaluar, e që PDK synon ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, është edhe Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilën tashmë PDK po e dërgon për të dytën herë në Kushtetuese”.
“Çka ka të bëjë me transparencë financiare, e pengon PDK-në. Çka ka të bëjë me ulje të kostos për bizneset dhe qytetarët e pengon PDK-në. Çka ka të bëjë me avancim të shtetit, e pengon PDK-në”, ka shkruar Bislimi. /Telegrafi/