Partia Demokratike e Kosovës, e ka quajtur dialog teknik, procesin e dialogut që po ndodh në Bruksel në mes kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi ka thënë se LDK dhe AAK po ri-hapin të gjitha temat që i ka mbyllur PDK-ja në emër të Kosovës.
Bytyçi ka thënë se PDK kurrë nuk ka vendosur nënshkrim në ndonjë dokument në çfarëdo formati që ka cenuar Kosovën, integritetin dhe sovranitetin e saj.
“Veprimi skandaloz i Kryeministrit Hoti dhe z. Haradinaj që Ujmani të shqyrtohet si çështje e pazgjidhur me Serbinë, është kundër kushtetues, akt i qartë tradhtie ndaj karakterit unitar të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Bytyçi.
Postimi i plotë:
Partia Demokratike e Kosovës, është akuzuar për një kohë të gjatë nga LDK-ja, AAK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje për cenimin e tërësisë territoriale dhe kompromise në dëm të Kosovës
Për një dekadë me radhë, shumë gënjeshtra ia kanë veshur PDK-së dhe lidershipit të saj për këtë.
Mirëpo e vërteta e pa kontestueshme e faktike, është se PDK, kurrë nuk ka vendosur nënshkrim në ndonjë dokument në çfarëdo formati që ka cenuar Kosovën, integritetin dhe sovranitetin e saj.
Veprimi skandaloz i Kryeministrit Hoti dhe z. Haradinaj që Ujmani të shqyrtohet si çështje e pazgjidhur me Serbinë, është kundër kushtetues, akt i qartë tradhtie ndaj karakterit unitar të shtetit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e PDK-se ka bërë dialog me Serbinë, por, ky dialog i ka sjellë mbi 100 njohje ndërkombëtare Kosovës, ka mundësuar formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe mbi të gjitha e ka fuqizuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar.
Të gjitha temat që i ka mbyllur PDK-ja në emër të Kosovës, sot në nivelin teknik po ri-hapen nga LDK-ja dhe AAK-ja në dialogun e tyre teknik në Bruksel me Vuçiqin. /Telegrafi/