Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës sërish sot akuzoi Qeverinë Kurti, duke thënë se është e pabesueshme se me çfarë guximi kanë filluar të abuzojnë me paranë publike.
Tahiri në një postim në Facebook shkruan se dy ministra protagonistë të një afere të tillë, ministrja Gërvalla Schwarz dhe ministri Fikrim Damka, i keqpërdorën 1.1 milion euro, duke i ndarë këto para jashtëligjshëm një OJQ-je.
Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:
“Është e pabesueshme se me çfarë guximi kanë filluar të abuzojnë me paranë publike ministrat e Qeverisë Kurti, duke mos u tunduar të dinë për ligjin, lere më t’iu nënshtrohen ligjeve kur është fjala për shpërndarjen e parave të taksapaguesve të Kosovës.
Dy ministra protagonistë të një afere të tillë, Ministrja Gërvalla Schwarz dhe Ministri Fikrim Damka, i keqpërdorën 1.1 milion euro, duke i ndarë këto para jashtëligjshëm ndaj një OJQ-je.
Kjo aferë, përveç që shpërfaqë paaftësinë institucionale të kësaj qeverie, shpërfaqë edhe vetëbesimin e verbër se këta ministra janë mbi ligjin dhe se paranë publike e konsiderojnë si mjet për të mbuluar deficitet e tyre të gjithanshme, pa ndjerë kurrfarë përgjegjësie për to, e për mënyrën se si shpenzohen ato.
Keqpërdorimi dhe abuzimi i jashtëligjshëm i këtyre dy ministrave, ngjashëm si edhe afera të tjera korruptive që i kemi ngritur më parë e që po dalin në shesh për çdo ditë, tregojnë fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie dhe papërgjegjësinë e saj karshi ligjit e qytetarëve”. /Telegrafi/