Partia Demokratike e Kosovës dënon thirrjet e zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes këto ditë për dhunë dhe vëllavrasje, duke konsideruar se kjo gjuhë e dhunshme është e dënueshme sepse po nxit një konflikt të rrezikshëm shoqëror.
PDK nëpërmjet një komunikate thotë se këto deklarata të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje brenda dhe jashtë Kosovës, e kanë për qëllim nxitjen e një zinxhiri të dhunës që del jashtë institucioneve shtetërore për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.
“Ato filluan me Albin Kurtin në Kuvendin e Kosovës, i cili gjatë seancës paralajmëroi trazira, për t’u përshkallëzuar me deklarata kërcënuese të Agim Bahtirit, Bojken Abazit, Artan Abrashit e përfaqësuesve të tjerë të LVV-së të cilët kanë folur për dhunë, anarki e vëllavrasje. Ne dënojmë rëndë gjuhën e urrejtjes dhe krijimin e klimës së frikës nga zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes, të ndihmuar dhe orkestruar edhe nga analistë të papërgjegjshëm në Shqipëri e Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës nuk do të lejojë askënd që të kërcënojë sigurinë publike, të mbjelli përçarje, të nxis konflikt civil e të shkeli rendin kushtetues”, thuhet në komunikatë.
Sipas PDK-së, pasojat e këtyre veprimeve janë të paparashikueshme dhe përgjegjësia totale për çfarëdo që ndodh ka për të qenë e gjitha e Lëvizjes Vetëvendosje.