Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, në një konferencë për medie e ka quajtur Qeveri hipokrite, ekzekutivin e udhëhequr nga Albin Kurti.
Këto komente ai i bëri duke iu referuar siç thotë vendimit të ministres së Ndërrmarrësisë, Rozeta Hajdari, për heqjen e taksës ndaj bllokave të ndërtimit të importuar nga Serbia, me arsyetimin se ka skaduar masa antidamping e vendosur para pesë vjetësh.
“Ne kemi marrë me shume shqetësim këtë ngjarje, kjo është Qeveri hipokrite, tash le më që po qesin pengesë, por po largojnë edhe ligje dhe do të vërshohemi nga produkte serbe në Kosovë”.
Sipas tij, pas këtij vendimi vendi do të vërshohet nga produkte serbe, duke shtuar se me vendimet e saj Qeveria po mbyll dyert për Shqipërinë e po hap ato me Serbinë.
Ai tha se do të kërkojnë edhe interpelanca e debate për këtë çështje.
“Po hapin dyert për Serbinë dhe po mbyllin dyert për Shqipërinë. Ata janë vetëm kundër produkteve vendore. Do ta shqyrtojmë këtë vendim, do të kërkojmë edhe interpelanca edhe debate ku do të tregojmë fytyrën e vërtetë të kësaj Qeveria që e ka pas për qëllim veç marrjen e pushtetit”, tha Lushtaku. /Telegrafi/