Telegrafi

PDK: Nuk e kemi diskutuar hyrjen në qeveri, koalicioni po e hedh vet në publik këtë temë

Në organet e brendshme të PDK-së, sipas zyrtarëve të kësaj partie politike, asnjëherë nuk është diskutuar mundësia që kjo parti t’i bashkëngjitet Qeverisë. Derisa AAK-ja nuk e përjashton zgjerimin e koalicionit, por as zgjedhjet. Kurse Vetëvendosje thotë se partitë në pushtet, bashkë më PDK-në, kanë frikë nga zgjedhjet.

Monolog brenda partnerëve të koalicionit qeverisës, po i quan PDK-ja deklaratat se kjo parti mund t’i bashkëngjitet Qeverisë aktuale më kryeministrin Avdullah Hoti në krye.

“Mund ta rikonfirmoj përsëri se PDK në asnjë rrethanë dhe në asnjë nivel të vendimmarrjes nuk e ka diskutuar bashkëngjitjen e saj në koalicionin qeverisës. Ky është një lloj monologu nga anëtarët e koalicionit qeverisës që po e hedhin në publik këtë opsion”, deklaroi për RTV Dukagjinin, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.

Por, partia tjetër opozitare, Vetëvendosje thotë se zgjerimi i koalicionit mund të ndodhë ngase PDK-ja bashkë me partitë në pushtet kanë frikë nga zgjedhjet.

Në anën tjetër, AAK-ja, parti kjo brenda koalicionit qeverisës, nuk e përjashton asnjërin opsion, zgjerimin e qeverisë apo zgjedhjet e reja.

E shoqëria civile thotë se aktualisht vendit i nevojitet një koalicion i fuqishëm.

“Ne besojmë se është shumë e rëndësishme që koalicioni qeveritar të jetë mjaft i fuqishëm në mënyrë që të kalojë së paku ligjet që duan një shumicë të thjeshtë parlamentare”, deklaroi Allen Meta.

Edhe krye parlamentarja Vjosa Osmani, duke kujtuar zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, përmes një postimi në Facebook, është pozicionuar, pro zgjedhjeve të reja./RTV Dukagjini/Telegrafi/