Site icon Telegrafi

PDK në Mitrovicë: Fjalët e Agim Bahtirit dhe realiteti janë tepër larg njëra-tjetrës

Në një komunikatë për media, Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Mitrovicë – ka reaguar në lidhje me deklaratën publike të Agim Bahtirit, kur thotë se hapja e Urës së Ibrit është në dorë të Bashkimit Evropian.

Lexo po ashtu Dorëzohet Agim Bahtiri, thotë se për hapjen e urës vendos BE-ja dhe serbët

“Është hera e parë që Agim Bahtiri është dorëzuar për diçka publikisht dhe këtë e ka bërë për një çështje për të cilën nuk është dorëzuar asnjë qytetar i Mitrovicës. Kështu, ai del vetëm në një anë, dhe qytetarët në anën tjetër”, thuhet në reagim, duke shtuar se premtimet e mëparshme të Bahtirit për zhbllokimin e urës nuk i kanë marrë kurrë seriozisht. “Ai ka dëshmuar me qindra herë deri me tani se fjalët e tij dhe realiteti janë tepër larg njëra-tjetrës”.

Sipas PDK-së, asnjë tullë nuk është vënë në shtëpitë shqiptare, në lagjet e veriut, që prej ditës kur Bahtiri u bë kryetar i Mitrovicës.

“Ai e ka ndërprerë procesin e rindërtimit që kishte nisur në kohën e PDK-së, kur ishin rindërtuar 202 shtëpi, rrugë, kanalizime, ujësjellës etj. Ai e ka ndërprerë rrjedhën pozitive që ishte nisur dhe e ka ndryshuar ambientin atje sikur në ditët e para të pasluftës”, thuhet në kumtesën e dërguar nga Dega e PDK-së në Mitrovicë, sipas së cilës “dorëzimi i Bahtirit për Urën e Ibrit është shenjë se ai ka nisur të ndërgjegjësohet për dëmin që i ka sjellë Mitrovicës”.

“Ai nuk mund të bëjë aventura politike dhe të ik. Qytetarët e Mitrovicës kërkojnë përgjegjësi për situatën e krijuar, për dështimet dhe degradimin që e ka sjellë ai në Mitrovicë”, thuhet në fund të reagimit. /Telegrafi/

Exit mobile version