Telegrafi

PDK mohon akuzat në lidhje me grafitet fyese për Graincën

Partia Demokratike e Kosovës ka mohuar akuzat në lidhje me grafitet fyese për ish deputeten nga kjo parti, Adelina Grainca.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi tha për Telegrafin se PDK nuk e sulmon dikë në shtëpi e familje për motive politike.

“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk e ka ulur vetën në këtë nivel duke e sulmuar dikë në shtëpi e në familje për motive politike”, tha Bytyçi.

Ai më tej u shpreh se për këtë arsye ky sulm është i papranueshëm edhe për PDK-në.

Lexo po ashtu Grafite fyese në muret e oborrit të shtëpisë së deputetes Adelina Grainca

“Ne ftojmë Policinë e Kosovës që të hetojnë këtë rast duke ju sugjeruar që intervistimet t’i fillojnë nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi që siç duket kjo parti vetëm pas disa ore i kanë ‘identifikuar’ autorët!”, tha zëdhënësi i PDK-së.

Ndryshe, mbrëmë në muret e oborrit të shtëpisë së deputetes Adelina Grainca, persona të panjohur kanë shkruar grafite me mesazhe fyese për familjen e deputetes.

“BIJAT I SHESIM, VOTAT I QESIM” kjo është përmbajtja e disa grafiteve të shkruara në murin rrethues të oborrit të familjes së deputetes Grainca nga Ferizaj.

Tinka Kurti nga LVV kishte deklaruar se ajo çka ka bërë PDK apo kushdo në muret e shtëpisë së deputetes Adelina Grainca është krim.

“Atyre nuk po i dhemb veç pse një grua e ka braktisë grupin e tyre por sepse një grua mundet me pasë guximin që ata nuk e kanë.

Kur gratë e zgjedhin të drejtën e të dobishme burrave të zhytyr në llum iu zihet fryma.

Le të mësohen me e pa votën e deputEteve si të lirë e të pavarur. Me i pa deputetet si të tilla dhe jo të manipulueshme. Boll me seksizëm.

Në ferrin e tyre djalli është personazh pozitiv”, kishte shkruar Kurti.

Ndryshe, Adelina Grainca në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte zgjedhur deputete në listën e Partisë Demokratike të Kosovës. Por, e njëjta ka marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më 4 prill ku ka votuar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente dhe njëkohësisht kishte bërë të ditur se ka braktisur PDK-në dhe i është bashkuar Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lulzim Grainca, biznesmen dhe xhaxhai i Adelinës, ka deklaruar se sapo të nxjerr video-incizimet e kamerave të sigurisë do të tregojë kush është autori i grafiteve. /Telegrafi/