Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate drejtuar mediave ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është duke përfituar nga tenderët në kohën e pandemisë së COVID-19.
PDK pohon se LVV në kuadër të qeverisjes së Komunës së Prizrenit ka bërë disa shkelje ligjore, që sipas tyre, kërkojnë angazhimin e menjëhershëm të prokurorisë së shtetit për t’i hetuar për korrupsion e keqpërdorim, transmeton Telegrafi.
“Ditëve të fundit është publikuar nga Komuna e Prizrenit e qeverisur nga Lëvizja Vetëvendosje, tenderi “Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga Korona virusi në komunën e Prizrenit ‘në shumën prej 102.040 euro’. Në këtë kontratë, duket qartë që çmimet janë shumë herë më të larta se çmimet normale që ekzistojnë në tregun e lirë sot, si dhe krahasuar me çmimet e të njëjtave produkte të kontratave të lidhura deri më tani nga Ministria e Shëndetësisë dhe komunat tjera në Kosovë”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Reagimi i plotë:
“Partia Demokratike e Kosovës dënon keqpërdorimet e mëdha financiare dhe abuzimet me pushtetin që po kryhen nga Lëvizja Vetëvendosje nën mbulimin e masave kundër coronavirusit. Veprimet e fundit të ndërmarrë nga Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të qeverisjes së Komunës së Prizrenit janë qartazi shkelje ligjore që kërkojnë angazhimin e menjëhershëm të prokurorisë së shtetit për t’i hetuar për korrupsion e keqpërdorim.
Ditëve të fundit është publikuar nga Komuna e Prizrenit e qeverisur nga Lëvizja Vetëvendosje, tenderi “Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga Korona virusi në komunën e Prizrenit” në shumën prej 102.040 euro”.
Në këtë kontratë, duket qartë që çmimet janë shumë herë më të larta se çmimet normale që ekzistojnë në tregun e lirë sot, si dhe krahasuar me çmimet e të njëjtave produkte të kontratave të lidhura deri më tani nga Ministria e Shëndetësisë dhe komunat tjera në Kosovë.
Ajo që e bën këtë kontratë edhe më të dyshimtë dhe shkeljen edhe më flagrante, është fakti që këtë tender e ka fituar kompania “EKA TRADEING” SH.P.K. e cila ka një fushë-veprimtarie që nuk lidhet me materialet që përfshihen në këtë tender dhe është themeluar vitin e kaluar.
Po ashtu, është veçanërisht e ulët që kjo përpjekje korruptive është bërë duke abuzuar me një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët sikurse është shëndeti dhe po bëhet pikërisht në një periudhë emergjente të luftës kundër coronavirusit.
Ky veprim korruptiv nuk është aspak një rast i veçuar, përkundrazi, është dëshmi e një tradite të mbushur me korrupsion, abuzim e keqpërdorim që Lëvizja Vetëvendosje ka ndërtuar në komunën e Prizrenit. Në këto vite, Kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, i cili i përket partisë Lëvizja Vetëvendosje e ka zhytur komunën në nepotizëm, krim e korrupsion. Partia që drejton Prizrenin e ka inkriminuar komunën duke mbajtur numrin më të lartë të zyrtarëve me së paku 5 drejtorë që kanë pasur aktakuza për korrupsion”./Telegrafi/