Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës e kanë lëshuar seancën si shenjë proteste për raportimet e mediave se gjyqtarë të EULEX-it kanë manipuluar me prova dhe kanë fyer ish-komandantët e UÇK-së gjatë proceseve gjyqësore.
Memli Krasniqi nga Grupi parlamentar i PDK-së tha se kjo qasje e gjyqtarëve të EULEX-it është e papranueshme dhe kërkojnë urgjentisht nga udhëheqësit e këtij misioni që ta sqarojnë këtë situatë.
“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, shpreh këtu indinjatën dhe shqetësimin tonë të thellë në lidhje me raportimet e fundit në media ndërkombëtare dhe vendore që flasin për një qasje diskriminuese dhe paragjykuese nga zyrtarët e EULEX-it ndaj ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë gjykuar në procese të ndryshme nga prokurorët dhe gjyqtarët e këtij misioni”, tha Krasniqi.
“Ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ka deklaruar zyrtarisht dhe publikisht se gjykatës të EULEX-it kanë pasur qasje manipulative në rastet që ndërlidhen me ish-ushtarët e UÇK-së. Për më tepër, në dëshmitë e tij ai ka përfshirë edhe gjykatësin kryesor të rastit ‘Drenica 2’, Dariusz Sielicki, për të cilin ka deklaruar se të akzuarit i ka fyer vazhdimisht duke i quajtur edhe ‘kafshë’. Kjo është më shumë se e turpshme dhe ofenduese për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha më tej Krasniqi.
Ai tha se për deputetët e PDK-së është e papranueshme dhe jashtëzakonisht joprofesionale nëse një qasje e tillë manipulative vërtetë ka qenë mënyra e trajtimit të rasteve në fjalë.
“Andaj, ne kërkojmë urgjentisht nga udhëheqësit e EULEX-it që t’i ofrojnë Kuvendit dhe institucioneve tona një përgjigje zyrtare dhe të detajuar në lidhje me këto pretendime shumë serioze. Konsiderojmë se një akuzë kaq e rëndë nuk mund të lihet pa marrë përgjigjen dhe sqarimin e plotë, sepse edhe ne, edhe qytetarët tanë, duhet ta dimë të vërtetën rreth kësaj çështjeje”, tha ai.
“Në fund, si shprehje e protestës dhe revoltës në lidhje me këtë, ne sot do të lëshojmë sallën e Kuvendit dhe kërkojmë që të gjithë deputetët të na bashkëngjiten në këtë veprim. Propozojmë që seanca e planifikuar për sot të vazhdojë nesër nga ora 10:00”, u shpreh Krasniqi.