Telegrafi

PDK kritikon qeverisjen e LVV-së në Prizren

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj ka kritikuar qeverisjen në qytetin e Prizrenit, e cila drejtohet nga Mytaher Haskuka nga Lëvizja Vetëvendosje.

Totaj ka thënë se Qeveria Haskuka është e degraduar, përcjellë me mos transparencë dhe e ndeshur rregullisht me ligjin.

“Larg përfaqësimit të interesave të qytetarëve të Komunës së Prizrenit. Pa vizion, pa strategji të artikulimit të kërkesave të qytetarëve. E radhitur në fund tek të gjitha listat nga monitorues vendorë e ndërkombëtarë. Çdo ditë e më shumë, po shpërfaqë humbje besimi dhe mungesë orientimi qeverisës. Gjysmën e parë të mandatit, gjysma e drejtorëve ishin të akuzuar. Pjesën e dytë të mandatit, janë zyrtarë e drejtorë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Tani, zyrtarisht, janë 3 drejtorë aktual, të pandehur me procese në prokurorinë themelore në Prizren”, tha ai.

Totaj tha se “Në modelin e qeverisjes aktuale dhe të frustruar, po këndohet edhe më tej kënga e vjetër prej ish drejtorëve të akuzuar, deri në drejtorët aktual si të pandehur”.

“Jemi të shqetësuar jo vetëm duke përfaqësuar si opozitë qytetarët që na besuan, por edhe ata që dikur shpresonin për ndryshime në qeverisjen lokale. Kërkojmë nga Mytaher Haskuka, që të ndërmarrë masa të menjëhershme, ndaj atyre që kanë tradhtuar besimin publik qytetar. Ne nga dega e PDK-së në Prizren, nuk ndihemi mirë, kur drejtorët aktual dhe udhëheqja komunale, nuk tregojnë shenja të përmirësimit në mënyrën e qeverisjes. Pra në vend se të fillojnë t’u ofrojnë shërbime qytetarëve pa preferenca, ata vazhdojnë të ofrojnë shërbime klienteliste dhe në kontinuitet nuk respektojnë legjislacionin aktual në fuqi”, tha Totaj. /Telegrafi/