Site icon Telegrafi

​PDK kërkon nga Prokuroria të hetojë Haskukën

Kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, njëherësh nënkryetari i partisë, Shaqir Totaj ka mbajtur sot konferencë për media lidhur me skandalet korruptive në Komunën e Prizrenit, arrestimet e fundit dhe largimin e të gjitha partive politike opozitare nga selitë e tyre në Prizren.

Totaj ka kërkuar nga prokuroria të hetojë edhe kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka pas skandalit me tenderin 1.4 milion euro të Komunës Prizrenit nën dyshimet e aplikimit me dokumente të rrejshme, ku u arrestuan disa persona pas publikimit të një raporti të organizatës joqeveritare “AVONET”.

Sipas Totajt, parulla me “Mytën do ta mbysim korrupsionin” është shndërruar në parullën “Myta është mbytur në korrupsion”.

“Ky skandal i madh nuk duhet të kalojë pa përgjejgjësi politike. Ne jemi të bindur se në këtë skandal korruptiv është i përfshirë edhe vetë Haskuka dhe personat e afërt me të, prandaj apelojmë tek organet e shtetit që të zgjerojnë pistën e hetimeve duke përfshirë kryetarin Haskuka, drejtorin Osman Krasniqi, ish-drejtorin Levent Kasemi dhe shefin e prokurimit.”, ka thënë ai.

Totaj është shprehur se pushteti i korruptuar i udhëhequr nga Mytaher Haskuka dhe motivuar nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje po synon ta frikësojë opozitën, ta indimidojë, t’ia mbyllë gojën dhe t’ia pamundësoj veprimtarinë e saj politike në shërbim dhe interes të qytetarëve të Prizrenit, duke i larguar partitë opozitare nga selitë e tyre me qëllim që ata të heshtin karshi abuzimeve e aferave korruptive në Komunën e Prizrenit. /Telegrafi/

Exit mobile version