Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka njoftuar se do të ngritët padi në Prokurorinë Speciale ndaj raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar të krizës energjetike.
Tahiri në një konferencë për medie, është shprehur se janë disa akte në kuadër të menaxhimit të krizës energjetike që kanë bërë vepra penale.
“Një prej dokumenteve që kjo e Qeveri e ka sjellë me procedurë të përshpejtuar për ta votuar në Kuvendin e Kosovës është Strategjia e Energjisë që ka ardhur në dhjetor të 2022-së dhe ende nuk ka përfunduar kur jemi duke e kaluar muajin e dytë të këtij viti”, tha Tahiri, përcjell Telegrafi.
“Ajo që është e rëndësishme se ne do ta diskutojmë dhe trajtojmë raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike. Ky raport tregon shumë gjetje në menaxhimin e kësaj krize dhe në anën tjetër po ashtu është e rëndësishme të theksohet se si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës jemi duke përgatitur një kallëzim penal mbi të gjeturat e këtij raporti dhe në momentet e miratimit apo mosmiratimit ne do ta dërgojmë në Prokurorinë Speciale”, shton ai.
“Janë disa akte në kuadër të menaxhimit të kësaj krize që konsiderojmë se kanë bërë vepra penale”, ka përfunduar i pari i deputetëve të PDK-së. /Telegrafi/